Stadiumi i 1 miliard paundëve u la anash për dy vite

- Bota Sot

Stadiumi i 1 miliard paundëve u la anash për dy vite

Një stadium me një kosto marramendëse prej 1.36 miliardë paundësh, i cili ishte projektuar të ishte më i madh se “Wembley” dhe “Camp Nou”, më në fund do të përfundohet pas viteve të pasigurisë dhe stanjacionit.

“Wembley” i ri, i hapur në vitin 2007, është aktualisht stadiumi i gjashtë më i madh i futbollit në botë, ndërsa Camp Nou zë vendin e dytë dhe pritet të arrijë kapacitetin prej 105,000 vendesh pas rinovimit.

Por, në vitin 2020, nisi ndërtimi i një stadiumi në Kinë me kapacitet 100,000, që kishte për qëllim t’i tejkalonte të dy dhe të bëhej më i madhi në botë.

Pesë vite më vonë, objekti që do të shërbente si shtëpia e re e klubit më të suksesshëm kinez, Guangzhou FC, mbetet ende i papërdorshëm, pas një sërë zhvillimesh dramatike.

Guangzhou FC, më parë i njohur si Guangzhou Evergrande, dominoi futbollin kinez duke fituar tetë tituj në nëntë sezone dhe dy herë Ligën e Kampionëve të Azisë. Sukseset e tyre erdhën pasi klubi u ble nga grupi i pasurive të paluajtshme “Evergrande”, i cili investoi fuqishëm në infrastrukturë dhe blerje të bujshme lojtarësh gjatë kulmit të periudhës së artë të Superligës kineze.

Klubi, që ka pasur në krye emra të mëdhenj si Marcello Lippi, Fabio Cannavaro dhe Luiz Felipe Scolari, si dhe lojtarë të njohur si Paulinho, Robinho, Jackson Martinez e Demba Ba, në vitin 2020 prezantoi planet për ndërtimin e stadiumit të ri “Evergrande Stadium” me dizajn të frymëzuar nga lulja e lotusit.

Sipas talkSPORT, projekti u vlerësua fillimisht me mbi një miliard paund, dhe synohej të përfundonte në dhjetor të vitit 2022. Por shumë shpejt gjithçka mori një kthesë negative. Evergrande Group u zhyt në borxhe, që në një moment u raportua se kapnin shifrën e 220 miliardë paundëve. Megjithatë, ata vazhduan ndërtimin deri kur qeveria kineze ndërhyri dhe sekuestroi stadiumin.

Tentativa për ta shitur objektin dështoi, ndërkohë që klubi përjetoi një rënie të paprecedentë – përfshirë falimentimin, rënien nga elita dhe zhdukjen nga skena pas dështimit për të shlyer borxhet. Në fund, luanin në një stadium me vetëm 18,000 vende, derisa përfundimisht u shpërbënë.

Për afro dy vite, stadiumi mbeti gjysmë i ndërtuar, me vinça dhe skela të braktisura. Megjithatë, edhe pse rikthimi i klubit në futbollin profesionist u refuzua, projekti i stadiumit ka rifilluar.

Grupi i Investimeve të Ndërtimit të Qytetit Guangzhou, i cili është në pronësi të shtetit, ka marrë në dorë ndërtimin dhe punimet kanë rifilluar në vitin 2024. Kostoja e re është ulur ndjeshëm në rreth 253 milionë paund dhe kapaciteti i stadiumit është shkurtuar në 73,000 vende. Po ashtu, dizajni i mëparshëm në formën e një luljeje lotusi është braktisur.



Lexoni të gjitha në Bota Sot