Protestë masivë në ditën e 100 nga arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, policia turke vë në pranga 42 protestues

- Bota Sot

Protestë masivë në ditën e 100 nga arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, policia turke vë në pranga 42 protestues

Autoritetet turke arrestuan 42 persona gjatë një demonstrate në Stamboll që shënoi 100 ditë nga arrestimi dhe shkarkimi i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Ekrem Imamoglu.

Të arrestuarit akuzohen për fyerje të Presidentit turk Recep Tayip Erdogan dhe rezistencë ndaj forcave të sigurisë, sipas një postimi të bërë herët këtë mëngjes në “X” nga Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.

Mijëra njerëz protestuan para Bashkisë së Stambollit, duke brohoritur slogane të tilla si “Të bashkuar kundër fashizmit” dhe “Presidenti İmamoglu”.

Sipas mediave turke, policia u përlesh me demonstruesit dhe përdori gaz lotsjellës.

Ekrem İmamoglu, një nga politikanët më të njohur të Turqisë dhe një kundërshtar kryesor i presidentit Erdogan, u zgjodh kryetar bashkie i Stambollit me mbështetje të fortë popullore dhe i përket Partisë Republikane Popullore (CHP).

Arrestimi i tij më 23 mars, si dhe shkarkimi i tij nga zyra e kryetarit të bashkisë, shkaktoi reagime të forta brenda dhe jashtë vendit. Shumë zyrtarë të CHP dhe bashkëpunëtorë të İmamoglu u arrestuan gjithashtu në valë të njëpasnjëshme ndjekjesh penale.

Protesta e djeshme përkoi me një tjetër goditje të madhe ndaj CHP-së, pasi më shumë se 100 persona u arrestuan të martën në Izmir, si pjesë e hetimeve për korrupsion.

Partia Republikane Popullore i denoncon këto si persekutim të motivuar politikisht nga vetë qeveria, e cila manipulon drejtësinë.

Megjithatë, Erdogan ka thënë vazhdimisht se gjyqësori është i pavarur.

CHP u regjistrua si forcë e parë në zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), për herë të parë në historinë e saj, doli e dyta në zgjedhjet kombëtare.

Imamoglu është nominuar tashmë si kandidat presidencial i partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme, të cilat pritet të mbahen në vitin 2028.



Lexoni të gjitha në Bota Sot