Krimi në diktaturë/ Ngjarja e rëndë në familjen Prençi, babanë ia vranë më 1952, kurse djali u dënua me 25 vite burg!

- Bota Sot

Krimi në diktaturë/ Ngjarja e rëndë në familjen Prençi, babanë ia vranë më 1952, kurse djali u dënua me 25 vite burg!

Në vitin 1995, për një “gabim” të sajuar në gazetë, ministri pezulloi nga detyra kryeredaktorin e gazetës së Ushtrisë. Ngjarja bëri bujë edhe në median e kohës. Rastësisht ngjarjen e kishte mësuar edhe Rifati, Rifat Prençi ish-i burgosuri politik, që pasi kishte mbaruar dënimin, rastësia e solli te “strehohej qiraxhi” në shtëpinë tonë. Shtatë vite më pas në demokraci, pasi ai kishte marrë vesh se si kishte ngjarë me kryeredaktorin e gazetës së Ushtrisë, ja behu në derën e shtëpisë dhe sa u pa në prag, madje pa u përshëndetur fare, pyeti:
-Çfarë ka ndodhur”?!

-Dikush e ka dezinformuar ministrin për një artikull, që ka dalë në gazetë, që sipas atij “dikushit”, nuk duhej të botohej!- i tha kryeredaktori i pezulluar nga detyra.

Rifati nuk priti më, por u kthye nga kishte ardhur dhe i zbriti shkallët e pallatit pothuajse me vrap, ndërsa gazetën e Ushtrisë e shtrëngonte fort në dorë. Nuk pandehej se Rifati do të shkonte drejt e në zyrën e Presidentit të Republikës, që ishte në atë kohë Prof. Dr. Sali Berisha.

Pas pezullimit nga detyra e vërteta ishte se mbi familjen e kryeredaktorit, Kolonel e Doktor i Shkencave, kishte rënë një presion i madh psikologjik. Gazetat e kohës nisën të sajonin e të trumbetonin se “për x e y gjë e kanë shkarkuar kryeredaktorin e gazetës së Ushtrisë” dhe sipas interesit të tyre, nisën edhe të komentonin “arsyet e mos arsyeve te shkarkimit”.

Në një nga ato ditë, i ndjeri Baki Shehi ish -deputet e më parë gjeneral, e kishte takuar rastësisht hallemadhin Rifat Prençi, i cili gjatë diktaturës kishte bërë më shumë se 22 vjet burg politik, për faktin se ishte i biri i Tahir Prençit, “reaksionar” e “diversant” i katapultuar nga SHBA në Shqipëri në vitin 1952 me ato të ashtuquajtura “banda diversioniste”, që luftonin kundër sistemit. Komunistët e Enver Hoxhës e kishin zëne desantin Tahir Prençi dhe e kishin futur në burgun e Tiranës, por ai mundi të arratisej nga burgu, ndërsa falangat e regjimi e ndjekin me orë të tëra me polici e ushtri dhe e ekzekutuan në një lëndinë diku afër Bixës së Shëngjergjit.

Kur Tahir Prençi këtu për shqiptarët u shpall armik e tradhtar, nga ana tjetër Amerika, për “idealin e lartë e jetën që dha për demokracinë në Shqipëri, e shpalli atë që në atë kohë, dëshmor të saj”.

Nga gjithë ajo ngjarje sublime, të bën përshtypje një fakt aspak njerëzor, që edhe sot pas më se 70 vjetësh ata që ishin rreth e rrotull në përplasjen mes tij dhe falangave të Sigurimit, e dinë mirë se ku (nga Sigurimi i Shtetit e në bashkëpunim me policinë, me ushtrinë dhe repartet e ndjekjes) e kanë vrarë në përpjekje Tahir Prençin, por asnjëherë nuk treguan se ku mund të jetë ndonjë eshtër e mbetur e idealist atdhetar. Edhe më pas, sa qenë gjallë ata që e dinin ngjarjen (që patjetër e dinin) nuk e treguan që nuk e treguan, se në cilën greminë e hodhi Sigurimi trupin e pajetë të të ndjerit Tahir Prençi, që e dha jetën për demokratizimin perëndimor të Shqipërisë.

Ndërsa ndodhinë e vitit 1995 me Rifatin në Presidencë, e tregonte me pas Këshilltari Ushtarak i Presidentit, gjenerali Adem Çopani, që u bë edhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe për fatkeqësinë e tij, në ’97-n e vunë edhe nën komandën e një “gjenerali” bashibuzuk. Në antitezë me këtë të fundit, Ademi ishte një njeri nobel, madje shumë i ditur, një profesionist e ushtarak klasi, që gjithë jetën kishte bërë vetëm punën e tij profesionale. Megjithatë si për shumicën e popullit, ngjarjet e ’97-ës edhe për të, qenë edhe një fatkeqësi personale, ku ai nuk kishte nga t’ia mbante dhe e pranoi postin që e çoi në mërgim e amshim të përjetshëm.

-Sapo i thashë Presidentit për ardhjen e Rifatit, ai e priti menjëherë,- tregonte Ademi. Kur Rifati u fut në zyrën e Presidentit pasi kam qenë aty, -pa u përshëndetur i tha në mënyrë pyetëse se çfarë kishte ngjarë me kryeredaktorin e gazetës së Ushtrisë. Presidenti diç desh t’i thoshte Rifatit, që duket se e respektonte shumë, por ai vijoi në të tijën. Thuaj ministrit ta kthejë kryeredaktorin në punë! Nuk shkarkohet ai njeri! Është demokrat me shpirt! E njoh mirë. Në kohën e diktaturës, kur sapo dola nga burgu dhe isha rrugëve, e ndonjë as që guxonte të më fliste, ai që e keni Kryeredaktor te gazetës me burrëri më hapi derën e shtëpisë dhe më ka “strehuar” në shtëpinë e tij mua ish-të dënuarin politik të diktaturës, që babai im dha jetën për këtë demokraci, e unë po për të bëra mbi 22 vjet burg politik. Ti Doktor, këto për mua i di mirë, por se çfarë ka bërë ai personi për të cilin kam ardhur, ti nuk i di! Ja, ky që të tregova me pak fjalë, është njeriu i mirë…, ndaj duhet ta kthesh në detyrë, se mbi të gjitha është profesionist i zoti! Është nder ai, për ju! – këmbëngulte Rifat Prençi, e ndërsa Presidenti aty për aty dhe në prezencë të tij, merr receptorin e telefonit dhe e pyet ministrin për ngjarjen, e pasi e dëgjoi i komunikoi se “Kryeredaktori mendoj duhet të rikthehet në detyrë”!

* Në digresion ishin vitet ‘88-89, kur Rifat Prençi ishte liruar nga burgu politik, ku e kishin futur një apo dy vjet pas mbarimit (fshehurazi) të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Tiranë, sepse spiunët e zbuluan “që Rifat Prençi ishte djali i armikut të komunizmit Tahir Prençi (ish-oficer i mbretërisë me profesion radiotelegrafist i klasit të parë, madje edhe kampion mundje i larguar në Perëndim pasi idetë e tij ishin për demokracinë perëndimore), i cili sapo kishte parashutuar në Shqipëri, viti 1952, forcat e ndjekjes e kishin zënë rob dhe e kishin mbyllur në burgun e Tiranës. Nga ai burg, Tahiri mundi të arratisej duke marrë me vete edhe policin e shërbimit. Të dy, Tahiri me në dorë automatikun e policit dhe polici me pistoletën e shërbimit, udhëtuan gjithë natën në drejtim të kufirit verilindor dhe në të gdhirë ishin afër Bixës së Shëngjergjit, ku rrethohen nga forca të shumta të ndjekjes. Bëri rezistence heroike Tahir Prençi, por përballë qindra policëve e ushtarëve të ndjekjes dhe të dhjetëra forcave vullnetare të fshatrave rreth e rrotull, më së fundi Tahir Prençi bie dëshmor në fushën e nderit”. Tregojnë se sigurimsat nuk i varrosën, por i tërhoqën zvarrë me makina disa kilometra dhe i hodhën dhjetëra metra poshtë, në një shkëmb te rruga Bixë-Elbasan, ku i shqyen egërsirat e dimrit.

Rifati, u rrit nga nëna e vetme dhe mundi fshehurazi të mbaronte Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike e me pas të punonte pak vite në kombinatin e tekstileve në Tiranë. Mirëpo një “zbulim” dhe një spiunim nga bashkëpatriotët e tij dibranë, e çoi që ta arrestonin menjëherë nën akuzën, “spiun i SHBA-së”. Pas një hetuesie të gjatë e të mundimshme, Rifatin e dënojnë, fillimisht me pushkatim dhe pastaj me 25 vjet.

E mbyllën në burgun politik të Burrelit, te Spaçit e të Qaf Barit dhe e nxorën që andej, nga ai ferr i Dantes, të moshuar. Pas burgut e lanë rrugëve, pa punë, pa shtëpi. Duke mos parë rrugëzgjidhje, Rifati,”u kërkonte autoriteteve qeverisëse lokale të kohës të drejtën e pasaportizimit”, se kur e kishin arrestuar, ai kishte qenë banor i Tiranës. “Këtë, pasaportizimin që kisha atëherë,-u thoshte zyrave përgjegjëse -tani që e mbarova dënimin, ma ktheni”! Po kujt ia kërkonte Rifat Prençi, të drejtën?! Asnjë zyrë nuk ia vërshëllente, se Rifati ishte armik i popullit, se ai ishte njeri pa njeri, se ai kishte vetëm një nënë në pleqëri të thellë, që ende nuk kishte dhënë shpirt se kishte pritur 22 vjet e ca birin e vetëm, dritën e syve, Rifatin.

E drejta e pasaportizimit dhe rezultati i kërkesës së egër për të, që në administratën e asaj kohe ishte një proces kudo i kufizuar, e që Rifati nuk po e zgjidhte dot, ishte miqësimi me atë “hero të gjallë” të demokracisë.

Edhe atëherë, si tani para 7-8 vjetësh në diktaturën e egër komuniste Rifati erdhi “si furtunë”, ashtu siç ish te në të vërtetë. Atëherë ishin ditët, kur sapo Rifati kishte dalë nga burgu dhe kishte shkuar në zyrën e gjendjes civile të lagjes, e kërkonte me ngulm, që “t’i bënin pasaportizimin”. Por atij të burgosuri politik, asnjë zyrtar nuk i jepte rrugë zgjidhje dhe Rifati, ishte drejtësisht i revoltuar, derisa kishte kërcënuar edhe nëpunësen duke i thënë se “ose do të më bëni pasaportizimin ose do t’u marr peng fëmijët”! Dhe pas 2-3 orëve nga ajo deklarate, një mesoburrë me një kapele republike, gjendet para familjes se nëpunëses se gjendjes civile. Fëmijëve u mbetën kafshatat në duar….”Burgaxhiu”, terrorizues i nëpunëses në zyrën e shtetit, tashmë ishte aty dhe nisi të fliste pa pushim për veten, për burgun, për babain, për Amerikën, për nënën e për vuajtjet pa fund.

Jemi në kohën ku ende në fuqi ishte diktatura komuniste e ndonëse Rifati kishte të drejtë, ku donte t’ia dinte ai regjim gjakatar. Edhe pse ishte në shtëpinë e një funksionareje të shtetit përsëri nisi “breshërinë” e tij të fjalëve, se “ai ishte Rifat Prençi, me origjinë nga Dibra, që kishte qenë i dënuar politik, që kishte bërë 22 vjet e ca burg, që ishte i biri i Tahir Prençit dëshmor i Amerikës” dhe vijonte e vijonte të fliste e fliste pa pushim për vuajtjet e tij. Në koshiencë ndjehej keqardhja se “po sikur edhe mua nesër…”?!, sepse në memorie çështja e pasaportizimit ngacmonte plage. “Para burgut, para se të më vinin hekurat,- vijonte Rifati, – pasaportizimin e kam pasur këtu në Tiranë, këtu në këtë lagje”! Që të mos precipitonte situata, them se “çfarë duhet për të bërë pasaportizimin”? Duhet njëri nga këto tre dokumente,-0 vijoi nëpunësja e gjendjes civile:

1-Personi duhet të ketë një punë në Tiranë. -Ku ta kem unë punën, këtu? -ndërpret Rifati.-Unë në burg kam qenë!

2- Personi të ketë shtëpi në Tiranë! -Përveç burgut, ku kam lënë vetëm batanijet, nuk kam gjë tjetër unë?! -u përgjigj përsëri Rifati.

3-Dhe e treta, që personi të ketë një kontratë qiraje banese!

-Po ku t’i gjej unë këto? Ku ta gjej unë shtëpinë me qira në Tiranë? Kush është ai që më fut mua brenda në shtëpi, mua ish-të burgosurin politik?!- foli me zemër Rifati.

Aty për aty, erdhi reagimi. “Po sikur t’i jap një deklaratë se Rifati banon te ne, Komiteti, a ja bën pasaportizimin?!

-Mendoj se po. Por ka një rrezikshmëri, se me atë deklaratën që ti i jep sot, ai të merr shtëpinë nesër!

-Deklaratën, për t’i bërë pasaportizimin e meriton ky burrë!

Ne një letër format u shkrua pak a shumë kështu: “Rifat Prençi banon me qira në shtëpinë…, Rruga “….”, pallati…, shkalla …, apartamenti… Tiranë”… E firmosa dhe ia dhashë në dorë Rifatit. Tepër i kënaqur u ngrit dhe kështu pas atij momenti, mbetëm miq me njeriun e shumëvuajtur Rifat Prençi. Ndjehem krenar edhe sot që munda të bëj diçka, në lehtësimin e vuajtjeve të një njeriu të sakatuar nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës.

Më fitoren e demokracisë, Rifatit i dhanë edhe shtëpi në Tiranë, tek ajo që quhej “vila e Asim Alikos”. E ja si rrotullohet bota. Në atë shtëpi, që jetonte ai që ndoqi e vrau diversantët, nisi jeten e re biri i diversantit Tahir Prençi, e ky ishte Rifat Prençi idealist e bir idealisti, që kur mori vesh, se “si (aty nga viti 1995) më kishin pushuar nga puna padrejtësisht, shkoi dhe më mbrojti me dinjitet, te Presidenti i Republikës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot