Në Hamburg do ta kishin ekspozuar me krenari këmbën e tij të djathtë në muze, sepse ajo këmbë, në një ndeshje kundër Borusia Dortmundit, dërgoi topin në trekëndësh nga 40 metra larg.
Një gol që ngjante më shumë me një pikturë se me një goditje normale.
Por, ashtu si shumë gjeni, edhe Hakan Çalhanoglu nuk është ndalur kurrë gjatë në një vend. Dhe largimet e tij kanë qenë gjithnjë të zhurmshme.
HAMBURGU- Në vitin 2014, pas një sezoni ku shpëtoi Hamburgun nga rënia dhe realizoi 11 gola e 10 asiste, Çalhanoglu i shpalli dashuri të përjetshme klubit në rrjetet sociale. Premtoi se do të bëhej “shtyllë” e skuadrës. Por, vetëm pak javë më vonë, trokiti në zyrat e drejtuesve me një kërkesë të qartë, “Dua të largohem. Më kërkon Bajer Leverkusen”.
E justifikoi me ambicien për të arritur nivelet e Ronaldos dhe Mesit. Por, ky kthim fjalësh ndezi revoltën e tifozëve. Ndërkohë që kishte nënshkruar rinovimin, ai u zhduk nga stërvitjet me një raport mjekësor që fliste për “depresion”. Reagimet ishin të ashpra, legjenda Rafael Van der Vart tha se Çalhanoglu kishte rënë pre e një menaxheri të keq, ndërsa një ish-lojtar i St. Pauli, Mazingu-Dinzei, tha, “Idiotë ka plot në futboll, por ai i tejkalon të gjithë”.
MILANI- Në vitin 2021, historia u përsërit. Pas katër vitesh te Milani, Çalhanoglu u largua si lojtar i lirë dhe firmosi me rivalët e përbetuar, Interin. Tifozët kuqezinj nuk e harruan dhe nuk ia falën kurrë. Ai, nga ana tjetër, e bëri edhe më të ashpër ndarjen. “Në gjashtë muaj fitova një trofe”, u shpreh ai pasi mori Superkupën me Interin.
Kur shënoi ndaj Milanit, festoi me duart pas veshëve, si për të thënë, “Ku jeni tani?”. Në vitin 2024, pasi fitoi titullin kampion me Interin, postoi një mesazh ironik ndaj ish-tifozëve që vetëm sa thelloi plagën. Ashtu si në Hamburg, edhe në Milano, Çalhanoglu la pas një fushë të djegur.
DËNIMI- Por s’është vetëm zemërimi i tifozëve që ka ndjekur Çalhanoglunë. Në vitin 2017, ai u dënua me katër muaj pezullim nga FIFA për thyerje të marrëveshjes me klubin turk Trabzonspor. Në moshën 17-vjeçare kishte nënshkruar një parakontratë me klubin, por kur u afrua koha për transferim, preferoi ofertën më të majme nga Hamburgu. Trabzonspor kërkoi dëmshpërblim dhe dënim. E mori, katër muaj jashtë fushave dhe 100 mijë euro gjobë.
Në fushë, Hakan Çalhanoglu është shpesh i papërmbajtshëm. Një maestro i goditjeve të dënimit, vizionar në pasim dhe lider me topin në këmbë. Por jashtë fushës, figura e tij është e përfshirë në polemika, vendime të befasishme dhe lamtumira të ndërlikuara. Si një pikturë e bukur që lë pas një telajo të krisur.