Ish-mesfushori i Interit dhe Galatasarayt, Felipe Melo, ka bërë një apel publik për Hakan Calhanoglun që të transferohet te klubi turk.
Përmes një postimi në rrjetin social X, braziliani që ka luajtur me Galatasarayn nga viti 2011 deri në 2015, shprehu dashurinë e tij për Turqinë dhe vlerësimin personal për mesfushorin e Interit.
“Turqia është atdheu im i dytë. Jam gjithmonë gati të mbështes vëllezërit e mi turq. E njoh Calhanoglun prej shumë kohësh, është një person me shumë vlera dhe një figurë shumë e rëndësishme për mua, një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme,” shkroi Melo.
Më pas, ai shtoi një thirrje të drejtpërdrejtë: “Këtij mesazhi i shtoj një apel për vëllanë tim Calhanoglu: vëlla, eja në Galatasaray. Forca Kapiten!” – duke iu referuar rolit të Calhanoglut si kapiten i Kombëtares së Turqisë.