Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lansuar sot fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë.
Zëvendësministri në MPB, Blerim Gashani theksoi se parandalimi i përdorimit të armëve të paligjshme kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe qytetar.
Ai shtoi se falë angazhimit të Policisë së Kosovës dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, është arritur një përparim i dukshëm në konfiskimin e armëve ilegale, duke ndikuar kështu në rritjen e sigurisë publike në vend.
Gashani: Përmes bashkëpunimit mund të shmangim pasoja të rënda që sjell posedimi i armeve të paligjshme
“Në aspektin e parandalimit, përveç rolit kryesor të MPB-së dhe agjencive të saj përkatëse, sikur është Policia e Kosovës, shembull, është i domosdoshëm edhe angazhimi i fuqishëm i hisedarëve tjerë institucionalë shoqërisë civile, mediave dhe vetë e më së shumti qytetarëve. Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe qasjeve të koordinuara mund të shmangim pasoja të rënda që sjell posedimi i armeve të paligjshme, veprimet kriminale, keqpërdorimi i tyre e të shtënat festive për të cilat më së shumti flasim e për të cilat duhet të flasim e merremi edhe në muajt në vazhdim. Ky bashkëpunim është themeli i rritjes së sigurisë dhe mirëqenies së përbashkët të vendit tonë”, tha ai.
Ai tha se synojnë të parandalojnë keqpërdorimin e armëve të zjarrit.
Gashani: Fushata synon të parandalojë keqpërdorimin e armëve të zjarrit
“Qëllimi ynë është ngritja e vazhdueshme e nivelit të sigurisë në vend, duke garantuar jo vetëm rendin dhe qetësinë publike, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës për gjithë qytetarët. Falë angazhimit të palodhshëm dhe profesional të Policisë së Kosovës dhe mbështetjes së qëndrueshme nga partnerët ndërkombëtarë kemi arritur përparimet e dukshme në konfiskimin e armëve ilegale dhe municionit, gjë që ka ndiku drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike. Përmirësimi i perceptimit të qytetarëve për sigurinë është dëshmi e qartë e këtij suksesi dhe reflektim i bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin, që mbetet partneri ynë më i çmuar në ndërtimin e një ambienti të sigurt e të qëndrueshëm... Kjo fushatë synon të parandalojë keqpërdorimin e armëve të zjarrit, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe organeve të zbatimit”, ka thënë Gashani.
Në hapje të fushatës po ashtu mori pjesë edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund, përfaqësues të Policisë së Kosovës, institucioneve ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.