Humbja me Realin në Botëror, Juvja kuptoi limitet si skuadër

- Bota Sot

Humbja me Realin në Botëror, Juvja kuptoi limitet si skuadër

Dështim i dyfishtë për Serinë A, as Juventusi, as Interi nuk ia dolën të kalojnë në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube.

Një tjetër goditje për futbollin italian, tashmë i tronditur nga rënia e vazhdueshme e kombëtares.

Në sfidën ndaj Real Madridit, Juventusi u mbajt në lojë për rreth një orë, por në fund iu dorëzua cilësisë superiore të “Los Blancos”.

Një rast i artë u shpërdorua nga Kolo Muani në start të ndeshjes, ndërsa portieri Di Gregorio mbajti të gjallë shpresat me disa ndërhyrje vendimtare. Por goli i Gonzalo Garsias theu ekuilibrin dhe ekspozoi diferencat reale mes ekipeve.

MUNGON CILËSIA- Kur u detyrua të reagonte dhe të hapte lojën, Juventusi tregoi limitet e veta. Një skuadër e ndërtuar mbi grintë, sakrificë dhe rezistencë, por pa mjetet teknike për të përballuar elitën. Real Madridi kërkon diçka më shumë se thjesht përkushtim, kërkon talent, ide dhe klas, të cilat kjo Juve aktualisht nuk i ka. Ky eliminim, nëse shfrytëzohet me zgjuarsi, mund të shërbejë si një pikë reflektimi për drejtuesit e klubit. Sa është e gatshme Juvja të investojë për të rikthyer një skuadër të fortë në Serinë A dhe Europë?

REALITETI- Sezoni për bardhezinjtë nisi me ambiciet e larta të Tiago Motës dhe filozofinë e lojës së bukur. Por rruga përfundoi në tokë të njohur, realizmi dhe pragmatizmi i Tudorit, i cili arriti kualifikimin në Champions në frymën e fundit. Trajneri kroat u konfirmua në detyrë dhe kontrata e tij u zgjat deri në vitin 2027. Por sfida e vërtetë mbetet, a është Tudor në gjendje ta çojë Juventusin në një nivel më të lartë strategjik, përtej disiplinës dhe rregullit?

MERKATO- Eksperienca amerikane i ka bërë të qarta nevojat e ekipit, një mbrojtës qendror cilësor (me shpresën që Bremer të rikthehet në formën e mëparshme), një mesfushor i kompletuar krah Lokatelit dhe Turamit, dhe një sulmues tjetër për të mbështetur (ose zëvendësuar) Kolo Muaninë, nëse rinovohet huazimi nga PSG.

ËNDRRA– Profili ideal për mesfushën mbetet Sandro Tonali, një numër 8 tipik juventin, me shpirt gare dhe forcë udhëheqjeje. Një trashëgimtar i denjë i emrave si Tardeli, Deshamp apo Markizio. Por kostoja e lartë e bën transferimin e tij thuajse të pamundur.

VLAHOVIÇ- Ndërkohë, situata e Dushan Vlahoviç mbetet një çështje delikate. Sulmuesi serb, që përfiton një pagë prej 1 milion eurosh në muaj, duket i vendosur të qëndrojë deri në përfundim të kontratës në 2026 për të kaluar si lojtar i lirë, dhe të përfitojë nga bonusi i firmës te një tjetër klub. Një skenar që bllokon planet e Juventusit për sulmin. Përballja e drejtpërdrejtë me lojtarin do të ishte e dëmshme. Më mirë të minimizohet humbja, të vijojë bashkëpunimi me PSG-në për Kolo Muaninë dhe të finalizohet blerja e Xhonatan Dejvid nga Lilë, një sulmues fleksibël që mund të luajë si qendërsulmues.

JUVJA QË PO NDËRTOHET- Damien Komoli, drejtori i ri sportiv, ka tani përgjegjësinë për të përcaktuar drejtimin që do të marrë klubi. Me gjithë dinjitetin e paraqitur ndaj Real Madridit, Juventusi duket i burgosur në një mesatare teknike që nuk përputhet me historinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot