Pamje tronditëse! Momenti kur makina e Diogo Jotës përfshihet nga flakët pas aksidentit tragjik në Spanjë

- Bota Sot

Pamje tronditëse! Momenti kur makina e Diogo Jotës përfshihet nga flakët pas aksidentit tragjik në Spanjë

Janë publikuar pamjet e para nga aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit të njohur portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, në orët e para të së enjtes në Spanjë.

Në video të siguruara nga mediat spanjolle, shfaqet momenti i frikshëm kur automjeti tip Lamborghini, me të cilin po udhëtonin dy vëllezërit, është i përfshirë nga flakët.

Sipas të dhënave zyrtare, aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit në autostradën A-52, pranë komunës Cernadilla, në provincën Zamora, shumë pranë kufirit me Portugalinë.

Mjeti luksoz dyshohet se pësoi një defekt në gomë gjatë një parakalimi, duke humbur kontrollin, çka bëri që të përplasej në barrierat anësore, të dilte nga rruga dhe të merrte flakë menjëherë.

Pamjet tregojnë trupin e makinës tërësisht të djegur, të përmbysur në anë të rrugës, ndërsa forcat e emergjencës dhe hetuesit shihen duke inspektuar vendin e ngjarjes.

Diogo Jota, 28 vjeç, ishte vetëm 10 ditë i martuar me partneren e tij të kahershme, Rute Cardoso, me të cilën kishte tre fëmijë. Vetëm një ditë më parë, ai kishte ndarë me ndjekësit një video emocionuese nga dasma e tyre, të shoqëruar me fjalët: “Një ditë që nuk do ta harrojmë kurrë.”

Tragjedia ka shokuar botën e futbollit, me reagime të shumta nga tifozë, lojtarë dhe klube, përfshirë Cristiano Ronaldon, Federatën Portugeze të Futbollit dhe Liverpoolin, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen.

Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit, ndërsa pritet të analizohen më tej pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat teknike nga vendi i ngjarjes.



Lexoni të gjitha në Bota Sot