Mbi 100 të vdekur nga temperaturat e larta në Spanjë

- Bota Sot

Mbi 100 të vdekur nga temperaturat e larta në Spanjë

Të paktën 102 persona kanë vdekur gjatë valës së parë ekstreme të të nxehtit në Spanjë për këtë vit, e cila filloi të shtunën.

Kështu sipas sistemit të monitorimit të vdekshmërisë së përditshme në Spanjë (MoMo), ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të jetë në alarm në 12 nga 17 rajonet e Spanjës, me paralajmërime për temperatura ekstreme dhe stuhi shumë të forta lokale, raporton agjencia shtetërore meteorologjike Amet në faqen e saj të internetit.

Në gjashtë muajt që nga fillimi i vitit, sistemi MoMo ka regjistruar të paktën 380 vdekje në Spanjë që i atribuohen temperaturave të larta.

Në provincat e Andaluzisë, si Cordoba, Sevilla dhe Jaén, në jug të Gadishullit Iberik, ku alarmi është portokalli - për rrezik të konsiderueshëm - temperatura pritet të kalojë 42 gradë Celsius.

Ndërsa i nxehti anormal vazhdon të marrë jetë njerëzish, të paktën 4 në 48 orët e fundit, Amet parashikon kulme mes 38° dhe 39° në rajonin verior të Kastijës dhe Leonit, mbi 40° në rajonin qendror të Kastijës La Mancha dhe në Komunitetin e Madridit, shkruan ANSA.

Vala e të nxehtit, shumë mbi mesataret sezonale dhe në nivele të paprecedenta për muajin qershor, e cila filloi të shtunën e kaluar, vazhdon gjithashtu në komunitetet autonome të Extremadurës, Kantabrisë, La Riojës, Asturiasit dhe Galicisë, në pjesën qendrore-veriore të gadishullit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot