Dinamo i plotëson dëshirën Dajës, edhe një javë stërvitje në Ohër

- Bota Sot

Dinamo i plotëson dëshirën Dajës, edhe një javë stërvitje në Ohër

Dinamo ka mbyllur një muaj stërvitje, ku gjithçka po shkon në funksion të prezantimit të bluve në Ligën e Konferencës. Europa u kishte munguar prej 15 vitesh dinamovitëve, kështu që skuadra nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja kërkon një prezantim sa më dinjitoz, ku edhe fati duket se po i ndihmon.

Dinamovitët ishin përgatitur që ta nisnin nga turi i parë, por për shkak të disa ndryshimeve dhe penalizimeve të bëra nga UEFA, dinamo kaloi direkt në turin e dytë, ku ndeshjen e parë e luajnë më 24 korrik, teksa kundërshtar do të jetë fituesi i çiftit Atletik EskaldesDidelanzh. Ka kaluar një muaj që nga koha kur Dinamo nisi përgatitjet në kuadër të ndeshjeve europiane dhe sezonit të ri, ku skuadra e nisi stërvitjen në kompleksin e saj në Arbanë.

Më pas ekipi u zhvendos në Ohër, ku do të vazhdojë edhe një javë tjetër, duke qenë se kaloi direkt në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës. Gjatë kësaj periudhe përgatitore në Ohër, “nëndetësja” ka luajtur tri ndeshje miqësore, ku ka mposhtur me Ballkanin në shifrat 4-1, si dhe është mundur në dy sfidat e tjera, 1-0 nga Partizani dhe së fundmi 2-1 nga Shkëndija e Tetovës.

NË OHËR- Në përfundim të testit me tetovarët ishte menduar që të merrte fund faza përgatitore në Ohër, por trajneri Daja ka paraqitur një këndvështrim ndryshe për drejtuesit. Duke ditur se prezantimin në Europë e kanë më 24 korrik, mësohet se trajneri ka kërkuar që ekipi të stërvitet edhe për të paktën edhe javën tjetër në Ohër.

Kërkesa e Dajës ka lidhje me kushtet që kanë gjetur në shtetin fqinj, pasi terrenet janë të mira, por më kryesorja ka të bëjë me temperaturat e motit, që janë më të freskëta se në kryeqytetin shqiptar. Klubi ia ka miratuar direkt kërkesën Dajës, kështu që stërvitjet do të vazhdojnë edhe javës që vjen në Ohër, ku shpresohet që të luhet edhe ndonjë ndeshje tjetër miqësore.

Pas testit me Shkëndijën e Tetovës, ekipi është lënë dy ditë pushim, kështu që shumica e lojtarëve janë kthyer në kryeqytet në Shqipëri pranë familjeve të tyre, për të rivazhduar të premten programin stërvitor.



Lexoni të gjitha në Bota Sot