Së shpejti pritet zyrtarizimi

- Bota Sot

Së shpejti pritet zyrtarizimi

Juventusi ka bërë goditjen e parë në merkato nën drejtimin e drejtorit të ri sportiv, Damien Komoli.

Sulmuesi kanadez, Xhonatan Dejvid, është tashmë shumë pranë zyrtarizimit si lojtari më i ri i “Zonjës së Vjetër”, pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjatë natës, menjëherë pas ndeshjes që bardhezinjtë zhvilluan ndaj Real Madridit.

Pengesat e fundit, përfshirë komisionet për agjentët, u tejkaluan pasi përfaqësuesit e lojtarit u treguan të gatshëm të respektojnë dëshirën e tij për t’u bashkuar me Juventusin.

Dejvid, i cili largohet nga Lilë si lojtar i lirë, do të përfitojë një pagë prej 6 milionë eurosh në vit, plus 2 milionë bonuse.

Prej kohësh, “Zonja e Vjetër” kishte arritur marrëveshje personale me lojtarin, por negociatat me agjentët e tij kanë kërkuar më shumë kohë dhe durim.

Megjithatë, vendosmëria e Dejvid për t’u transferuar në Torino ka qenë vendimtare në përmbylljen e këtij operacioni.

Sulmuesi 24-vjeçar vjen nga një sezon mbresëlënës me Lilën, ku ka realizuar 25 gola dhe ka dhënë 12 asistime në 49 ndeshje.

Ai pritet të mbërrijë në Torino në orët në vijim për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën me klubin.

Me afrimin e Dejvid, hapet rruga për një tjetër përforcim në sulm, por vetëm pasi të qartësohet e ardhmja e dy emrave kryesorë në qendër të ofensivës, Dushan Vlahoviç dhe Arkadiuzh Milik, të cilët nuk shihen më si pjesë e projektit të ri.



Lexoni të gjitha në Bota Sot