Paralelisht me tensionet në grup, merkatoja zë gjithnjë e më shumë hapësirë në zyrat zikaltër.
Për të përballuar sezonin e ardhshëm, që pritet të jetë ai i “rindërtimit dhe reagimit”, klubi ka nisur të lëvizë.Emra si Suçiç, Luis Henrike dhe Boni janë vetëm fillimi.
Objektivi është të plotësohen edhe tri ose katër pika kyçe në skuadër, veçanërisht në mesfushë dhe mbrojtje. Ederson i Atalantës është një nga objektivat kryesorë. Vlerësuar nga drejtuesit si lojtari ideal për të ringjallur mesfushën, ai kushton plot 45-50 milionë euro.
Alternativat janë Stiller i Shtutgartit, një zbulim i sezonit të fundit në Bundesligë, dhe Rovela, për të cilin Interi është aktualisht më pak i bindur. Në prapavijë, mbrojtësi i Parmës, Xhovani Leoni, mbetet në qendër të vëmendjes, megjithëse klubi emilian kërkon rreth 40 milionë euro për ta lënë të lirë. Një alternativë më “ekonomike” do të ishte De Vinter i Xhenoas, i vlerësuar rreth 30 milionë.
LARGIMET- Për të financuar këto operacione, Interi shpreson jo vetëm te të ardhurat nga performanca në Champions dhe Botërorin për Klube, por edhe te disa largime të pritshme: Bisek, Sebastiano Espozito dhe Fratezi, ky i fundit shumë pranë një transferimi në Atletico Madrid. Ndërkohë, syri duhet mbajtur edhe mbi ofertat e mundshme për disa nga “big-ët” e skuadrës. Denzel Dumfris ka një klauzolë largimi prej 30 milionë eurosh, e vlefshme deri në mes të korrikut.
Edhe pse nuk ka ende një ofertë zyrtare, rreziku i një largimi të befasishëm nuk përjashtohet plotësisht. Ndërsa lojtarët ndodhen me pushime, Interi po përballet me një nga verat më delikate të viteve të fundit.
Rindërtimi nuk do të jetë vetëm teknik, por edhe psikologjik. Pa stabilitet të brendshëm, asnjë blerje nuk mjafton. Sfida e drejtuesve zikaltër është të ndërtojnë jo vetëm një ekip të fortë në letër, por edhe një grup të bashkuar në fushë. Dhe për këtë, koha është tani.