Simone Inzaghi dhe klubi saudit Al-Hilal po përgatiten të bëjnë një ofertë të fuqishme për mesfushorin e Interit, Hakan Calhanoglu, duke u futur në garë me Galatasarayn, që gjithashtu po e ndjek nga afër 31-vjeçarin.
Edhe pse Calhanoglu mungoi në Kupën e Botës për Klube për shkak të një lëndimi, ai mbetet në qendër të vëmendjes – jo vetëm për shkak të formës së tij në fushë, por edhe për një përçarje të përfolur me kapitenin Lautaro Martinez, që ka krijuar tensione në dhomat e zhveshjes te Interi.
Mesfushori turk është aktualisht nën kontratë me Interin deri në verën e vitit 2027 dhe fiton një pagë prej 6.5 milionë eurosh në sezon.
Megjithatë, Galatasaray është gati të ofrojë një pagë mbi 10 milionë euro për ta bindur atë të rikthehet në Superligën turke.
Në anën tjetër, Al-Hilal, i drejtuar nga ish-trajneri i Interit, Simone Inzaghi, pritet të ofrojë një kontratë me vlerë deri në 20 milionë euro në sezon për Calhanoglun, dhe sipas disa mediave, madje edhe një rol të mundshëm në stafin teknik në të ardhmen.
Interi, ndërkohë, ka vendosur çmimin e kartonit të lojtarit në rreth 30 milionë euro, dhe është i hapur për të dëgjuar ofertat gjatë kësaj vere.