Sonte zhvillohet çerekfinalja e parë e Botërorit të Klubeve

- Bota Sot

Sonte zhvillohet çerekfinalja e parë e Botërorit të Klubeve

Dy nga “vrasësit e gjigantëve” në këtë edicion të Kupës së Botës për Klube do të përballen në një çerekfinale të papritur, por shumë interesante në Orlando, teksa finalistët e dy edicioneve të fundit të turneut, Fluminense (2023) dhe Al Hilal (2022), masin forcat.

Fluminense vjen në këtë sfidë me një seri prej dhjetë ndeshjesh pa humbje në të gjitha kompeticionet (7 fitore, 3 barazime), duke ruajtur portën të paprekur në pesë nga gjashtë takimet e fundit. Ata kanë arritur rezultate pozitive ndaj Interit (2-0) dhe Dortmundit (0-0), duke tejkaluar pritshmëritë si skuadër nënvlerësuar në këtë turne. Rreziku i tyre pritet të shtohet në minutat e fundit, pasi tre nga gjashtë golat e realizuar në këtë edicion i kanë shënuar pas minutës së 75-të. Ndërkohë, të vetmit dy gola që kanë pësuar, i kanë marrë para pushimit të pjesës së parë, përcjellë kp.

Al Hilal, përfaqësuesi i vetëm i mbetur nga kontinenti aziatik, shkroi histori duke u bërë skuadra e parë nga Azia që mund një ekip evropian në këtë turne, kur eliminuan kampionët në fuqi Manchester City në fazën e 1/16-ave. Ata janë në një seri prej nëntë ndeshjesh pa humbje (6 fitore, 3 barazime), gjatë së cilës kanë realizuar 23 gola. Në mbrojtje, portieri Yassine Bounou ka qenë fantastik, duke ndalur 85% të goditjeve në kuadrat që ka përballuar, dhe duke qenë një faktor kyç në ecurinë e tyre deri në çerekfinale.

Kjo do të jetë përballja e parë direkte mes Fluminense dhe Al Hilal, por ndeshja e pestë mes klubeve nga Brazili dhe Arabia Saudite në historinë e Kupës së Botës për Klube. Në vitin 2019, Al Hilal u mposht nga Flamengo në gjysmëfinale, ndërsa në vitin 2022, e eliminoi po të njëjtën skuadër në të njëjtën fazë.

Një përballje që premton emocione dhe do të përcaktojë një tjetër finalist të mundshëm të këtij edicioni të pasur me surpriza, ndeshje që nis nga ora 21:00.



Lexoni të gjitha në Bota Sot