Armir Isa dhe Nazif Ceka me kontratat e para profesionale te Shkëndija

- Bota Sot

Armir Isa dhe Nazif Ceka me kontratat e para profesionale te Shkëndija

Klubi i Futbollit Shkëndija vazhdon të investojë në talentet e rritura në shkollën e vet të futbollit, duke zyrtarizuar sot firmosjen e kontratave të para profesionale me dy lojtarë të rinj premtues, Armir Isa dhe Nazif Ceka.

Armir Isa (18 vjeç) është një sulmues krahu që ka spikatur me paraqitjet e tij në grupmoshat e klubit. Ai ka firmosur kontratë profesionale me kohëzgjatje dyvjeçare.

Armir Isa: “Për mua është realizim i një ëndrre të fëmijërisë të firmos kontratën time të parë profesionale me Shkëndijën. Ky është vetëm fillimi dhe motiv shtesë për të vazhduar të punoj fort që të justifikoj besimin dhe të arrij sa më lart.”

Nazif Ceka (17 vjeç) luan në pozitën e mbrojtësit të qendrës dhe gjithashtu nënshkroi kontratë profesionale dyvjeçare pas paraqitjeve të mira dhe progresit të treguar në ekipet e moshave.

Nazif Ceka: “Firmosja e kontratës me Shkëndijën është një emocion i veçantë. Jam i lumtur dhe i motivuar për të vazhduar punën edhe më fort, duke e parë këtë si një hap të madh drejt ëndrrës sime për të luajtur në ekipin e parë.”

Me këto nënshkrime, KF Shkëndija dëshmon edhe një herë besimin e vazhdueshëm në punën me të rinjtë dhe zhvillimin e talenteve të brendshme, duke krijuar bazën për të ardhmen e klubit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot