Igli Tare tenton goditjen e bujshme

- Bota Sot

Igli Tare tenton goditjen e bujshme

Marco Asensio mund të jetë gati për një aventurë të re në Serie A. Sulmuesi spanjoll pritet të largohet nga Paris Saint-Germain këtë verë, pasi nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Luis Enrique.

Me Kupën e Botës që afrohet verën e ardhshme në SHBA, Asensio kërkon më shumë hapësira loje dhe një klub ku mund të jetë protagonist.

Sipas raportimeve të fundit, agjenti i tij Jorge Mendes ia ka propozuar shërbimet e tij Milanit, që është në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv. Kuqezinjtë kanë nisur kontaktet e para me PSG-në, sipas prestigjiozes franceze L’Équipe, dhe janë duke vlerësuar mundësinë për të bërë një lëvizje konkrete në ditët në vijim.

Ndërkohë, Fenerbahçe ka shfaqur interes të madh për Asension, dhe mediat turke flasin për një takim mes lojtarit dhe trajnerit José Mourinho. Megjithatë, lojtari duket se nuk është plotësisht i bindur për kalimin në Superligën turke, pasi dëshiron të qëndrojë në një kampionat të nivelit të lartë.

Një tjetër pistë është Villarreali, por për momentin klubi spanjoll nuk ka burimet financiare për të konkurruar me Milanin apo Fenerbahçen.

Asensio, i cili së fundmi është kthyer nga një periudhë huazimi te Aston Villa, është i lidhur me PSG-në deri në vitin 2026.

Klubi kampion i Francës është i gatshëm ta lërë të largohet për një ofertë rreth 15 milionë euro. Pengesa kryesore për Milanin mbetet paga e lartë e spanjollit – rreth 8 milionë euro neto në sezon – e cila bie ndesh me politikën financiare të klubit italian.

Gjithsesi, tratativat janë në zhvillim e sipër dhe ditët në vijim mund të jenë vendimtare për të ardhmen e Asensios.



Lexoni të gjitha në Bota Sot