Rindërtimi i aksidentit: Si vdiq Diogo Jota, çfarë ndodhi gjatë parakalimit dhe komunikata e policisë

- Bota Sot

Rindërtimi i aksidentit: Si vdiq Diogo Jota, çfarë ndodhi gjatë parakalimit dhe komunikata e policisë

Bota e futbollit është tronditur nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të sulmuesit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva, pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Spanjë.

28-vjeçari, i cili vetëm dhjetë ditë më parë ishte martuar me partneren e tij, Rute Cardoso, la pas tre fëmijë të mitur.

Vëllai i tij, dy vjet më i ri, ishte gjithashtu futbollist profesionist me klubin portugez Penafiel.

Detajet e aksidentit dhe hetimi paraprak

Sipas Guardia Civil në Spanjë, aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 të mëngjesit të së enjtes në provincën Zamora. Dyshohet se një shpërthim i gomës gjatë një manovre parakalimi ka bërë që Lamborghini të dalë nga rruga, duke humbur kontrollin. Mjeti më pas është përfshirë nga flakët, duke mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi dy pasagjerëve.

Në deklaratën zyrtare, autoritetet spanjolle sqaruan:

“Sipas informacioneve paraprake, mjeti, një Lamborghini, doli nga rruga për shkak të shpërthimit të gomës gjatë një parakalimi. Pas aksidentit, automjeti u përfshi nga flakët dhe të dy personat në bord humbën jetën.”

Kur u pyetën për identitetin e viktimave, autoritetet konfirmuan:

“Po, bëhet fjalë për futbollistin e Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllain e tij, Andre Silva”.

Pamje tronditëse dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes

Një kamionist, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, ka publikuar një video tronditëse që tregon makinën duke u djegur plotësisht vetëm minuta pas aksidentit. Pamjet, të shpërndara në rrjete sociale, tregojnë gjendjen e rëndë të automjetit, ndërsa flakët kishin përfshirë edhe bimësinë përreth.

Vetëm 10 ditë para aksidentit, Jota ishte martuar me të fejuarën e tij, Rute Cardoso. Në rrjetet sociale të çiftit janë publikuar foto të ceremonisë së tyre martesore më 22 qershor, ku shfaqen së bashku me tre fëmijët: Denis (i lindur në 2021), Duarte (2023) dhe një vajzë e sapolindur në vitin 2024. Jota pritej të rikthehej në Merseyside për të nisur përgatitjet me Liverpoolin brenda javës.

Karriera dhe arritjet e Diogo Jotës

Diogo Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020, pas transferimit nga Wolverhampton, për një shumë prej 44.7 milionë eurosh. Me fanellën e “The Reds”, ai zhvilloi 182 ndeshje, shënoi 65 gola dhe dha 26 asiste, duke u bërë një nga pikat kyçe të skuadrës.

Në katër vite me Liverpoolin, ai fitoi Premier League (2024/25), FA Cup (2021/22) dhe Carabao Cup (2021/22), ndërsa me kombëtaren e Portugalisë fitoi UEFA Nations League, duke mposhtur Spanjën në finale.

Karriera e tij nisi në ekipin e të rinjve të Gondomar, më pas te Paços de Ferreira, për t’u transferuar te Atletico Madrid dhe më vonë Porto. Pas aventurës në Spanjë dhe Portugali, ai spikati në Premier League, ku u afirmua si një nga sulmuesit më të kompletuar. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot