SHBA ndërpreu ndihmën ndaj Ukrainës, Trump telefonatë me Zlenskyn, ja çfarë diskutuan dy presidentët

- Bota Sot

SHBA ndërpreu ndihmën ndaj Ukrainës, Trump telefonatë me Zlenskyn, ja çfarë diskutuan dy presidentët

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi të premten një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Kjo bisedë ndodhi në një moment kritik, pasi Uashingtoni ka pezulluar dërgesat më të fundit të ndihmës ushtarake për Ukrainën – përfshirë sistemet mbrojtëse ajrore Patriot dhe municione të tjera të rëndësishme – vetëm disa orë pas një sulmi të rëndë rus ndaj Kievit, ku u përdor një numër rekord dronësh dhe raketash balistike.

Zelenskyy e quajti bisedën “të rëndësishme dhe të dobishme”, duke njoftuar se diskutuan për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, bashkëprodhimin ushtarak dhe investimet e ndërsjella – si një përpjekje për të nxitur administratën Trump të rifillojë dërgimin e municioneve në Kiev.

Ai shtoi se palët ranë dakord të rrisin “mbrojtjen ajrore”, çështje kjo që është kthyer në prioritet për Kievin për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj qyteteve ukrainase, pavarësisht reagimeve të ashpra nga Trump dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse Zelenskyy arriti ndonjë marrëveshje konkrete me Trump. Në deklaratën e tij mungon çdo përmendje për rifillimin e ndihmës amerikane, ndërsa burime për Axios e kanë përshkruar bisedën si një “bisedë e mirë”.

Ndërkohë, Trump u shpreh i zhgënjyer edhe pas një bisede të një dite më parë me presidentin rus Vladimir Putin. “Jam shumë i zhgënjyer me bisedën që pata sot me presidentin Putin. Nuk mendoj se ai është i gatshëm të ndalojë,” tha Trump, duke theksuar se nuk sheh vullnet për paqe nga ana e Moskës.

Kremlini, nga ana tjetër, përmendi si “shkaqe thelbësore të luftës” zgjerimin e NATO-s dhe aspiratat e Ukrainës për t’iu bashkuar strukturave perëndimore.

SHBA-ja tha se pezullimi i ndihmës erdhi pas një rishikimi të stoqeve të ushtrisë amerikane, duke treguar se vendi po përballet me mungesa të municioneve për forcat e veta.

Ndërkohë, Gjermania ka konfirmuar se është në “bisedime intensive” për të blerë raketat Patriot për Ukrainën, përmes një marrëveshjeje të mundshme me SHBA-në.

Kjo mungesë u bë më evidente pas një sulmi masiv rus, në të cilin mbi 550 dronë dhe raketa balistike u lëshuan ndaj qyteteve kryesore ukrainase – një akt që Zelenskyy e quajti “terrorizëm i qëllimshëm”.

Ai shtoi se sulmi pasoi menjëherë telefonatën mes Putin dhe Trump, duke e interpretuar si një sinjal të qartë se si Moska e kupton diplomacinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot