Përshkoi oqeanin për t’i dhënë lamtumirën mikut të tij Diogo Jota

- Bota Sot

Përshkoi oqeanin për t’i dhënë lamtumirën mikut të tij Diogo Jota

Ruben Neves, ish-bashkëlojtar i Diogo Jotës te Wolves dhe Porto, ka mbërritur në Portugali për të marrë pjesë në funeralin e mikut të tij të ndjerë. Ai ishte një nga personat që mbajtën arkivolin e Jotës gjatë ceremonisë prekëse të zhvilluar këtë të shtunë në Gondomar.

Neves fluturoi nga SHBA me avion privat menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në të cilën mori pjesë mbrëmjen e kaluar në Kupën e Botës për Klube. Ai ishte pjesë e formacionit të Al Hilalit, që u përball me Manchester Cityn në këtë kompeticion prestigjioz. Pavarësisht angazhimeve të tij në nivelin më të lartë të futbollit, Neves nuk hezitoi të udhëtonte në atdhe për t’i dhënë lamtumirën mikut dhe ish-bashkëlojtarit të tij.

Ruben Neves dhe Diogo Jota ndanë fushën së pari te FC Porto B dhe më pas te skuadra e parë e Portos. Më vonë, ata u ribashkuan te Wolverhampton Wanderers në Angli, ku formuan një bashkëpunim të shkëlqyer nga viti 2017 deri në vitin 2020. Në ato vite, të dy kontribuan në ngjitjen e Wolves në Premier League dhe konsolidimin e tyre në elitën e futbollit anglez.

Gjatë kohës së tyre te Wolves, Jota dhe Neves luajtën së bashku në mbi 100 ndeshje zyrtare, përfshirë Premier League, FA Cup dhe Europa League, duke ndarë fushën dhe sukseset me një lidhje të fortë profesionale dhe personale.

Pjesëmarrja e Neves në funeralin e Jotës konfirmon lidhjen e thellë që ekzistonte mes tyre dhe tregon respektin e madh që gëzonte Jota në mesin e bashkëlojtarëve dhe miqve të tij.

Ceremonia mortore në Gondomar ka mbledhur mijëra persona, përfshirë emra të njohur të futbollit botëror, në një atmosferë të mbushur me dhimbje, por edhe me nderim për jetën dhe karrierën e një futbollisti që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e shumë njerëzve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot