Viti i largët 1979, përveç tërmetit të 15 prillit, ku humbën jetën rreth 36 persona (sipas variantit zyrtar), duket se do të mbahet mënd, apo më saktë ka hyrë në dokumentet dhe statistikat zyrtare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, edhe për disa fatkeqësitë të tjera, me aksidente të ndryshme, (automobilistike, teknologjike, minerare, etj.), ku humbën jetën shumë e shumë më tepër persona, se ç’shkaktoi fatkeqësia natyrore me tërmetin e atij viti!
Kështu, që në janarin e atij viti, nëntë të burgosur që vuanin dënimin në kamp-burgun e Bulqizës (Reparti 301), humbën jetën pasi u asfiksuan nga një zjarr që ra në barangat ku ata punonin e jetonin. Afro dy muaj më pas, në 11 mars të atij viti, gjashtë punonjës të Kombinatit Metalurgjik “Çeliku i Partisë”, humbën jetën nga asfiksimi në një prej reparteve të Uzinës Nr. 12, ku dhe shumë të tjerë u helmuan nga gazrat dhe u shtruan në spital. Ngjarja tjetër që pasoi me shumë viktima, është ajo e datës 3 qershor të atij viti, ku humbën jetën rreth 16 persona, që u mbytën nga fundosja e anijes “Mitro Xhani” në Urën e Bunës afër liqenit të Shkodrës, ngjarje të cilën e kemi publikuar para disa ditësh.
Viti i “mbrapshtë” 1979, do të mbyllej me një tjetër fatkeqësi, pasi në datën 19 dhjetor, në afërsi të qytetit të Lezhës, humbën jetën 9 punëtorë dhe inxhinierë që punonin në tunelin e hekurudhës Laç-Shkodër. Ndërsa tre muaj më pas, më 10 mars të vitit 1980, ndodhi një fatkeqësi akoma dhe më e rëndë, pasi nga një aksident automobilistik të ndodhur në Zall-Bastar të Tiranës, humbën jetën plot 17 persona, punëtorë dhe nxënës shkolle, pasi makina “ZIS”, me të cilën ata udhëtonin, ra në një greminë, nga ku shpëtoi vetëm shoferi. Për të gjitha këto fatkeqësi të ndodhur në vitet 1979-’80, ku humbën jetën mbi 55 shtetas, na njohin dokumentet zyrtare përkatëse të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse), nga Memorie.al.
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME, ME NJOFTIMIN PËR NGJARJEN NË MINIERËN E BULQIZËS, KU HUMBËN JETËN 9 TË BURGOSUR, QË VUANIN DËNIMIN NË ATË KAMP
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 21
Më 26.1.1979, ora 13.30, në zonën “D”, në galerinë “A”, në minierën e kromit “Todo Manço” në Bulqizë, u shkaktua zjarr në një barangë, e cila kishte disa mjete dhe pajisje elektrike.
Nga tymi i madh u bllokua ajri dhe si rrjedhim u rrezikua një pjesë e turnit të parë të të dënuarve të repartit 301, si dhe disa punëtorë të lirë.
Me gjithë masat e marra, nga kjo gjetën vdekjen të dënuarit:
Beqir Qamil Leka, vjeç 30, nga fshati Bërzesht, Librazhd.
Gani Bajram Mullisi, vjeç 40, nga fshati Mborje, Korçë.
Besnik Neki Bega, vjeç 41, nga Gjirokastra.
Musa Bajram Vjeri, vjeç 37, nga Tirana.
Muharrem Veli Sejdini, vjeç 36, nga Tirana.
Faslli Refat Muço, vjeç 40, nga Fieri.
Tom Zef Prendi, vjeç 26, nga Shkodra.
Riza Hekuran Çela, vjeç 33, nga Lushnja.
Adem Dalip Pali, vjeç 25, nga Lushnja.
Në vend shkoi grupi operativ. Shkaqet e zjarrit nuk dihen. Hetimet vazhdojnë.
KRYETARI
PILO SHANTO
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME, ME NJOFTIMIN PËR NGJARJEN AKSIDENTALE NË KOMBINATIN METALURGJIK NË ELBASAN, KU HUMBËN JETËN 6 PUNËTORË
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 11.3.1979
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 136
ELBASANI
Më 9.6.1979, rreth orës 9.30-11.00, në Uzinën Nr. 12. Të Kombinatit “Çeliku i Partisë” Elbasan, brigadier Shkëlqim Ali Gripshi, vjeç 34, lindur dhe banues në Elbasan, u tha punëtorëve të brigadës së turnit të tij, se do të shkonte të punonte tek rezervuari për pastrimin e tij, prandaj ata duhet ta prisnin atje.
Në fakt, ai ka shkuar më përpara për të kontrolluar gjendjen e rezervuarit Nr. 1, të qarkullimit, në repartin e gazit, pasi aty do të punonte brigada, për të bërë pastrimin e mbeturinave të squfurit. Brigada shkoi në vend dhe meqenëse brigadieri nuk erdhi, sipas fjalës së tij, ata u larguan. Më 10.6.1979, rreth orës 9.00, kur shkoi turni tjetër tek rezervuari për të filluar punën, në fund të rezervuarit, panë Shkëlqimin dhe tentuan për ta nxjerrë, por sa zbrisnin në të, helmoheshin.
Në tentativë për të nxjerrë njeri tjetrin, u helmuan 10 punëtorë të tjerë. Më në fund ata u nxorën dhe veç Shkëlqimit, vdiqën edhe;
Edmond Xhevdet Hodo, vjeç 22.
Ferdinand Kurt Manaj, vjeç 24.
Hiqmet Gani Kanaçi, vjeç 20.
Bukurosh Mehmet Muça, vjeç 24.
Musa Riza Paja, vjeç 45.
Gjithashtu ndodhen në spital:
Vladimir Hajdar Skilja, vjeç 24, teknolog.
Petrit Liman Qosja, vjeç 29, shofer.
Mark Rrushit Simoni, vjeç 30, kimist.
Vilson Shefqet Agolli, vjeç 25, metalurg.
Roland Ali Spaho, vjeç 23, punëtor.
Grupi operativ konstatoi se rezervuari ka një muaj që ka dalë jashtë pune, prandaj ka qenë i bllokuar, prandaj ka pasur nevojë për riparim. Nga ana e asaj brigade, janë shkelur rregullat e sigurimit teknik, pasi kanë neglizhuar dhe nuk janë bërë matjet e nevojshme mbi gjendjen e ngopshmërisë së rezervuarit me gaz, duke menduar se në të nuk ka gjë, meqenëse rezervuari ka një muaj që nuk ndodhet në punë. Helmimi është bërë nga gazi karbonik H2 S.
U ndaluan Bujar Shefqet Gripshi, vjeç 30, lindur dhe banues në Peqin, përgjegjës i repartit të gazit të Uzinës Nr. 12 dhe Xhevahir Vehip Komani, vjeç 26, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, shefi Sigurimit teknik të kësaj uzine, të cilët, duke qenë në detyrat përkatëse, nuk kanë marrë masat për sigurimin e mbrojtjen e punëtorëve në punë e, për rrjedhim u shkaktuan vdekjen e 6 punëtorëve të sipërm.
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME, ME NJOFTIMIN PËR NGJARJEN AKSIDENTALE NË LEZHË, KU HUMBËN JETËN 7 PUNËTORË, NË TUNELIN HEKURUDHËS LAÇ-SHKODËR
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 4
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 20.12.1979
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 299
LEZHA
Më 19.12.1979, ora 10.00, në tunelin e hekurudhës Laç – Shkodër, rreth 500 metra afër rrugës së Shëngjinit, ku ishte parashikuar të bëhej një plasje për çeljen e tunelit, minator-elektricisti Rexhep Osman Krasniqi, shkoi për të bërë një provë kolaudimi jashtë planit. Në këtë kohë bëri kontaktin elektrik, nga e cila u shkaktua plasja e një mbushje me 450 kg. dinamit, si rezultat i së cilës vdiqën 7 punëtorë:
Vesel Xhafer Poloshi, vjeç 44, lindur dhe banues në fshatin Lashkizë, Dibër, minator.
Bashkim Xhemal Leka, vjeç 24, lindur në fshatin Hurdhë-Reç Dibër.
Uk Selman Lala, vjeç 19, lindur në fshatin Zall-Reç Dibër dhe banues në fshatin Balldre.
Dali Maliq Uklala, vjeç 31, lindur dhe banues në fshatin Ballaj-Reç Dibër.
Tom Kol Zefi, vjeç 44, lindur në fshatin Luf, Mirditë, e banues në Librazhd.
Rrahman Haziz Koka, vjeç 49, lindur dhe banues në fshatin Krej-Reç Dibër.
Rexhep Osman Krasniqi, vjeç 33, lindur dhe banues në fshatin Qerret Durrës.
U plagos lehtë dhe Mark Ndue Lleshi, vjeç 52, lindur dhe banues në Lezhë, (anëtar Partie), i cili u shtrua në spital.
Për këtë aksident, u ndalua Veniamin Jani Hida, vjeç 29, lindur në Elbasan, kryeinxhinier i kantierit të hekurudhës, Enver Shaban Kallushi, vjeç 38, lindur në Tiranë, inxhinier ndërtimi dhe Ibrahim Tatraku, vjeç 48, lindur në Dibër dhe banues në Lezhë, teknikë, të cilët nuk kishin marrë masa për të zbatuar rregullat e sigurimit teknik. Çështja ndiqet.
ZV. KRYETARI
ALI KORBI
KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E MINISTRISË SË BRENDSHME, ME NJOFTIMIN PËR NGJARJEN AKSIDENTALE NË ZALL-BASTAR TË TIRANËS, KU HUMBËN JETËN 17 VETA QË UDHËTONIN ME NJË AUTOMJET “ZIS”
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 10.3.1980
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 58
TIRANË
Më 8.3.1980, në ora 16.00, makina “Zis”, me targë TR 19-89, e minierës së qymyr-gurit Valias, që drejtohej nga shoferi Petrit Abdyl Hoxha, vjeç 33, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me një muaj heqje lirie, në rrugën Tiranë – Zall-Bastar, në të dalë të tuneleve të Tujanit, në një pjesë malore, gjatë ndërrimit të marsheve, doli në afolje dhe u rrëzua në greminë.
Nga ky aksident, u vranë:
Sulejman Kanina, vjeç 26, nga Zall-Mneri.
Ibrahim Aruçi, vjeç 44, nga fshati Vilëz.
Rexhep Lila, vjeç 56, nga fshati Bastar-Muriz.
Sabri Bajrami, vjeç 27 nga fshati Vilëz.
Adem Aruçi, vjeç 24, nga fshati Bulçesh-Mner.
Beqir Kurti, nga Kamza.
Haxhi Mali, vjeç 50 nga Kamza.
(Punëtorë në minierën e Valiasit)
Petrit Rama, vjeç 31, nga Zall-Mneri.
Mehmet Tarja, vjeç 29, nga Bastar-Murizi.
Hysen Gjeçi, vjeç 48, nga Kamza.
(Punëtorë në minierën e Mëzezit)
Myslym Plaku, vjeç 18, nga Selita.
Agim Balliu, vjeç 20, nga Selita.
Rruzhdi Alla, vjeç 18, nga Selita e Poshtme.
Lume Ballliu, vjeç 20, nga Selita.
Aqif Uta, vjeç 18, nga Vilza.
(Nxënës)
Kadri Flora, vjeç 27, punëtor në Gjeologji, banues në Vilzë.
Bajram Bajramaj, vjeç 27, kooperativist, banues në Zall-Mner.
Gjithashtu u plagosën rëndë 7 persona dhe lehtë 23, kurse shoferi nuk pësoi gjë. Shoferi u ndalua. / Memorie.al
KRYETARI
PILO SHANTO