De Paul kërkohet në Serie A dhe MLS, Atletico Madrid i cakton çmimin e largimit

- Bota Sot

De Paul kërkohet në Serie A dhe MLS, Atletico Madrid i cakton çmimin e largimit

Mesfushori argjentinas Rodrigo De Paul është në qendër të afatit kalimtar këtë verë, pasi disa klube kanë shfaqur interes për transferimin e tij.

Atletico Madrid i ka hapur derën një largimi të mundshëm dhe ka vendosur çmimin prej 15 milionë euro. Edhe pse De Paul ka kontratë deri në vitin 2026, ardhja e Johnny Cardoso ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në formacionin bazë.

Në këtë situatë, Milan ka hyrë në garë për shërbimet e tij. Drejtori sportiv i kuqezinjve, Igli Tare, ka kontaktuar me drejtuesit e Atleticos për të pyetur rreth çmimit të lojtarit, pasi transferimi i Granit Xhakës nuk është konkretizuar.

De Paul kërkon minuta të rregullta loje për të mbajtur formën në prag të Kupës së Botës 2026. Një lëvizje te Milan mund të ishte një hap i rëndësishëm për karrierën e tij, sidomos në një kampionat si Serie A që e njeh mirë.

Që nga viti 2021, ai ka regjistruar 187 paraqitje, 14 gola dhe 26 asistime me fanellën e Atletico Madrid, duke qenë pjesë kyçe në skemat e Diego Simeone.

Përveç Milanit, interes të madh ka shfaqur edhe Inter Miami. Klubi amerikan kërkon ta afrojë De Paul për të forcuar skuadrën dhe për të rrethuar Lionel Messin me bashkëkombës të besuar.

Për Atleticon, shitja e De Paul do të ndihmonte në lehtësimin e buxhetit dhe do të hapte rrugën për përforcime të reja. Vendimi përfundimtar pritet në ditët në vijim. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot