Një premtim mbështetjeje, por edhe një mungesë e theksuar në momentin më të rëndësishëm, e kanë vendosur Cristiano Ronaldon në qendër të kritikave të ashpra në Portugali.
Sipas një raporti të gazetës portugeze Record, kapiteni i kombëtares portugeze ka komunikuar me bashkëshorten e Diogo Jotës, Rute Cardozo, si dhe me prindërit e futbollistit të Liverpoolit që humbi tragjikisht jetën, duke u dhënë fjalën se do të jetë gjithmonë pranë tyre.
Megjithatë, Ronaldo vendosi të mos marrë pjesë në funeralin e përbashkët të Jotës dhe të vëllait të tij, Andre Silva, për të mos krijuar, siç raportohet, një “kaos mediatik” me praninë e tij. Ky vendim i tij habiti publikun sportiv në Portugali, pasi pritej që Ronaldo të ishte pranë për të dhënë lamtumirën e fundit së bashku me shokët e skuadrës dhe anëtarët e ekipit kombëtar.
Reagimet në Portugali
Mungesa e yllit 40-vjeçar u bë edhe më e dukshme, ndërsa lojtarë të tjerë si João Cancelo dhe Ruben Neves emocionoheshin para kamerave, dhe trajneri Roberto Martínez mbërrinte direkt nga SHBA-ja. Ndërkohë, Ronaldo ishte në Mallorca, duke shijuar momente relaksi në jahtin e tij luksoz me vlerë 5.5 milionë paund.
Gazetarë të shumtë reaguan me kritika ndaj tij. Antonio Ribeiro Cristovao theksoi se “si kapiten i skuadrës, ai ka përgjegjësinë të japë një shpjegim”, ndërsa Luis Cristovao foli për një “mungesë të pakuptueshme”, duke shtuar se “cilado justifikim që të jepet, do të jetë shumë i vogël”.
Mbështetje nga larg, por me hije të mëdha
Pavarësisht kritikave të ashpra, disa mbrojtës të Ronaldos theksojnë se ai mund të ketë preferuar të mos kthente funeralin në një spektakël mediatik, duke marrë parasysh vëmendjen e madhe që e shoqëron gjithmonë. Thuhet se ai ka siguruar familjen e Jotës se do të jetë pranë tyre për çdo nevojë në të ardhmen.
Megjithatë, për shumëkënd në Portugali, mungesa e Ronaldos në momentet e fundit pranë shokëve të skuadrës dhe familjes së Jotës mbetet një hije që do të diskutohet gjatë.
Pergjigjia e motres
Motra e Cristiano Ronaldos, Katia Aveiro, është kundërpërgjigjur me një sërë postimesh emocionale në Instagram, duke pretenduar se vendimi i vëllait të saj ishte i duhuri dhe duke sulmuar ata që, siç tha ajo, “gjykojnë pa arsye
“Kur vdiq babai im, përveç dhimbjes së humbjes, na u desh të përballeshim me një vërshim kamerash dhe shikimesh të çuditshme në varreza dhe kudo që shkonim”, shkroi ajo në mënyrë karakteristike