Tafaj: Objektivat u realizuan

- Bota Sot

Tafaj: Objektivat u realizuan

Departamenti i Edukimit në Federatën e Futbollit përmbylli një sezon shumë të suksesshëm, duke organizuar me sukses 22 kurse të ndryshme formimi të të gjitha niveleve, me gjithsej 684 të diplomuar.

Në një prononcim për fshf.org, specialisti i Departamentit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj, tha se ishte një sezon me objektiva të realizuara dhe vlerësime shumë të mira nga UEFA.

“Është një sezon goxha i suksesshëm. Po të llogarisim periudhën maj – qershor, kemi realizuar gati të gjithë objektivat. Kjo ishte një arritje nga ana jonë sepse gjatë këtij sezoni, me mbylljen e UEFA PRO, për 80 orë ndjekje nga tutori jonë që na ndjek nga kurset, anëtari i UEFA’s Jira Panel, Savvas Constantinou, dha përshtypjet e veta më të mira për zhvillimin e kursit UEFA Pro, të nivelit më të lartë”, – tha Tafaj, i cili nënvizoi edhe risitë e sezonit të kaluar dhe të sezonit të ardhshëm.

“Risitë e këtij viti ishin goxha. Do ta cilësoja shumë të suksesshëm sepse për herë të parë kemi arritur të marrim dhe të përfitojmë licencat e niveleve të larta në dy disiplina të ndryshme: UEFA Goalkeeping A dhe UEFA B Fitness Coach. Të dyja ishin për herë të parë në listën e kurseve që zhvillon departamenti jonë.

Risi tjetër është hapja e shkollave të tjera të licencimit të trajnerëve pranë zonave rajonale, siç është rasti i Gjirokastrës – UEFA C, i Korçës – UEFA B, Durrësit për herë të parë – UEFA C, Elbasanit – UEFA B. Pra, janë dy – tre zona që nga niveli C kanë arritur te B”.

Sezoni i ri? – “Do ketë goxha risi sepse në kurset tona nacionale, përveç atij të Drejtorit Teknik, të skautit, videoanalistit dhe mjekësisë sportive, ne do t’i vazhdojmë edhe në sezonin e ardhshëm. Jemi duke përgatitur planin dhe të gjithë programin e detajuar. Besoj shumë shpejt brenda muajit korrik ne do të prezantojmë progamin e vitit 2025-2026”, – tha Alban Tafaj.



Lexoni të gjitha në Bota Sot