E ardhmja e Lionel Messit mbetet në qendër të spekulimeve, sidomos pas eliminimit të Inter Miami nga Kupa e Botës për Klube. Kontrata e yllit argjentinas me klubin amerikan skadon në dhjetor, dhe sipas raportimeve të "LÉquipe", ai mund të tundohet nga një aventurë e re në Arabinë Saudite, përcjellë KosovaPress.
Interesimi vjen nga kampionët e Azisë, Al-Ahli, skuadër ku luajnë Roberto Firmino dhe Franck Kessié. Klubi synon të ringjallë rivalitetin e famshëm mes Messit dhe Cristiano Ronaldos, i cili ka zgjatur kontratën me Al-Nassr. Ky projekt përkon me strategjinë e promovimit të Kupës së Botës 2034, që do të mbahet pikërisht në Arabinë Saudite, ku Messi tashmë është një nga ambasadorët ndërkombëtarë.
Në këtë fazë të karrierës, që ndoshta i afrohet fundit, Messi ka vendosur si objektiv të madh mbrojtjen e titullit botëror me Argjentinën në Kupën e Botës 2026, turne që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Për ta arritur këtë në kushtet më të mira fizike dhe konkurruese, ai mund të rishqyrtojë të ardhmen e tij sportive.
Aktualisht, Messi ka shprehur për mediat argjentinase dhe drejtuesit e Inter Miami dëshirën për të vazhduar në MLS, ku gjen një ambient të afërt me stilin e jetesës së familjes së tij dhe ka pranë miqtë e vjetër si Luis Suárez, Jordi Alba dhe Sergio Busquets. Vendimi për të jetuar në Miami u mor pas një vizite të mëparshme në Arabinë Saudite, ku Messi kishte vlerësuar mundësinë e përfundimit të karrierës atje.
Megjithatë, zhgënjimi nga paraqitja e Inter Miami në Botërorin e Klubeve dhe diferenca e dukshme mes futbollit amerikan dhe atij evropian, mund ta shtyjnë kampionin nga Rosario të mendojë seriozisht për një ndryshim.
Me një tjetër Botëror në horizont, përgatitjet për kapitullin e fundit të karrierës së tij pritet të fillojnë së shpejti – dhe një transferim në Arabinë Saudite mbetet një skenar gjithnjë e më realist.