Ardian Ismajli është lojtar më i ri i Torinos. Mbrojtësi shqiptar, i cili vjen si lojtar i lirë pas shkëputjes nga Empoli më 30 qershor, ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne në Institutin e Mjekësisë Sportive, brenda stadiumit Olimpico Grande Torino, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore përpara se të firmosë kontratën me klubin dhe të vihet në dispozicion të trajnerit Marco Baroni, duke filluar nga e marta, kur skuadra do të nisë stërvitjet në qendrën “Filadelfia” nën drejtimin e trajnerit të ri.
Nëse shkon gjithçka sipas parashikimeve, më pas përfaqësuesi shqiptar do ta nënshkruajë një kontratë trevjeçare me klubin torinez, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër. Sipas mediave italiane, Ismajli do të paguhet 1,1 milion euro në vit plus bonuset.
Ardian Ismajli, i lindur në vitin 1996, e përfundoi aventurën e tij me Empolin pas 106 paraqitjesh gjithsej, prej të cilave 31 vetëm në sezonin e fundit. Në total, 28 vjeçari i ka zhvilluar 117 ndeshje në Serie A, ndërsa e ka realizuar një gol dhe i ka bërë dy asistime.
Ardhja e tij tek një klub i madh e me shumë histori në futbollin italin sikundër është Torino është një hap i rëndësishëm në karrierën e futbollistit shqiptar, që pritet të ndikojë pozitivisht edhe në përfaqësimin e tij me fanellën e ekipit tonë kombëtar.