Allegri e konfirmon: Luka Modric pritet t’i bashkohet Milanit në gusht

- Bota Sot

Allegri e konfirmon: Luka Modric pritet t’i bashkohet Milanit në gusht

Mesfushori i njohur kroat, Luka Modric, do të bëhet pjesë e skuadrës së Milan pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.

Këtë e ka konfirmuar trajneri i sapoemëruar i klubit italian, Massimiliano Allegri, në konferencën e tij të parë për shtyp.

Modric, i cili ka qëndruar te Real Madrid për trembëdhjetë vjet, kishte paralajmëruar në maj se pas këtij turneu do të largohej nga skuadra madrilene. Ai është tridhjetë e nëntë vjeç dhe fitues i "Topit të Artë" më 2018.

“Modric do të vijë në gusht. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë Allegri.

Real Madridi do të përballet me Paris Saint-Germain në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube të mërkurën, ndërsa finalja luhet të dielën.

Milan shpreson që me ardhjen e Modric të rikthehet te sukseset, pas një sezoni zhgënjyes ku përfundoi në pozitën e tetë dhe mbeti jashtë garave evropiane.

“Për tifozët kam vetëm një mesazh: gjëja më e rëndësishme është të punojmë mirë çdo ditë. Mënyra e vetme për të fituar respektin është me përgjegjësi dhe rezultate. Do të kemi nevojë për përkrahjen e tyre”, është shprehur Allegri.

Trajneri italian, i cili është kthyer te Milani për herë të dytë pasi zëvendësoi Sergio Conceicao në fund të majit, ka paralajmëruar edhe ndryshime në përbërjen e skuadrës.

Mesfushori nga Holanda, Tijjani Reijnders, është shitur te Manchester City në qershor, ndërsa mbrojtësi francez, Theo Hernandez, mund të kalojë te klubi Al Hilal në Arabinë Saudite.

Megjithatë, portieri Mike Maignan dhe sulmuesi Rafael Leao pritet të qëndrojnë.

Milan do ta nisë kampionatin italian më 23 gusht me ndeshjen ndaj Cremonese në “San Siro”.

Allegri kishte fituar titullin kampion me Milan në sezonin 2010-11, ndërsa për herë të fundit ishte trajner i Juventusit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot