Trajneri i Fluminenses: Jemi këtu për të bërë histori

- Bota Sot

Trajneri i Fluminenses: Jemi këtu për të bërë histori

Trajneri i Fluminenses, Renato Portaluppi, ka dhënë një mesazh të qartë para përballjes së sotme gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube kundër Chelsea: skuadra e tij është në turne për të bërë histori, pavarësisht pabarazisë së theksuar financiare me klubet e mëdha evropiane.

“Është privilegj të drejtoj këtë ekip dhe jemi këtu për të bërë histori”, është shprehur Portaluppi. “Kemi përballë kundërshtarë të fuqishëm, me përparësi të madhe financiare, por futbolli vendoset në fushë. Duhet të besojmë dhe të mos heqim dorë”. 

Fluminense është skuadra e vetme joevropiane në mesin e katër më të mirave në këtë edicion, përkrah Chelsea, Real Madrid dhe Paris Saint-Germain. 

Kjo e bën skuadrën braziliane një përjashtim të dukshëm, që vetë trajneri e pranon.

“Thashë se ishim ‘pëllumbi i shëmtuar’ i turneut për arsye financiare, sepse ky është realiteti. Buxheti ynë nuk arrin as dhjetë për qind të atyre të klubeve të tjera. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të arrijmë në finale apo edhe ta fitojmë këtë Kupë të Botës për Klube”, ka theksuar ai.

Fluminense ka treguar karakter dhe cilësi në këtë edicion, duke barazuar me Borussia Dortmund në fazën e grupeve, eliminuar Inter në të tetat e finales dhe mposhtur Al Hilal në çerekfinale.

Portaluppi shpreson që kjo formë të vazhdojë edhe kundër Chelsea, për ta çuar klubin drejt një suksesi historik.

“Që nga fillimi, i kam thënë skuadrës se ky turne është një mundësi e madhe për ne. Kemi qenë të përkushtuar dhe të saktë në çdo ndeshje.

Po përballemi me ekipe që në letër janë superiore, por nëse nuk japim gjithçka, do të largohemi pa titull. Ne nuk jemi këtu për të pranuar humbjen, por për të luftuar deri në fund”, ka thënë trajneri brazilian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot