Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka njoftuar se ka themeluar iniciativën qytetare Lidhja e Prishtinës.
“Në Lidhjen e Prishtinës jemi bërë bashkë gra dhe burra, profesionistë e aktivistë të komunitetit, që e duam Prishtinën dhe që ndajmë të njëjtin vizion për Prishtinën. Jemi bërë bashkë që ta ruajmë traditën dhe ta ndërtojmë të ardhmen. Jemi bërë bashkë që ta bëjmë Prishtinën vend më të mirë për fëmijët tanë”, thuhet në një vidomesazh që Kupina e ka publikuar në Facebook.
Ai ka thënë se me këtë listë do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 12 tetor.
“Me listën më të mirë për Kuvendin Komunal do të jemi zëri i qytetarëve aty ku merren vendimet më të rëndësishme në sy të qytetarit e jo prapa dyerve të mbyllura. Dhe këtë nuk do ta bëjmë vetëm. Do ta bëjmë bashkë me Ju, për Ju. Na priftë e mbara”, thekson Kupina në videomesazh.
Kupina më herët ka qenë anëtar i LDK-së, ndërkohë që tani është asamblist i pavarur dhe kryeson Kuvendin Komunal në kryeqytet.