Gjimshiti në dilemë për të ardhmen

- Bota Sot

Gjimshiti në dilemë për të ardhmen

Berat Gjimshiti ndodhet në një moment kyç të karrierës së tij.

Pas disa sezonesh si një nga liderët e mbrojtjes së Atalantës, qendërmbrojtësi shqiptar ka përfunduar në radarët e klubit katariot Al-Rayyan, i cili është gati t’i ofrojë një kontratë tepër të majme.

Sipas raportimeve nga TuttoAtalanta.com, oferta që ka mbërritur nga Doha është parë si një mundësi e artë për fundin e karrierës për mbrojtësin 31-vjeçar, që tashmë duhet të zgjedhë mes qëndrimit në Bergamo dhe një aventure të re në Lindjen e Mesme.

Al-Rayyan ka paraqitur një ofertë prej 12 milionë eurosh plus bonuse për kartonin e Gjimshitit, shifër që ka bërë drejtuesit e Atalantës të ndalen dhe të reflektojnë.

Nga njëra anë qëndron vlera sportive dhe njerëzore që lojtari ka sjellë në skuadër, duke u kthyer në një pikë referimi për mbrojtjen bergamaske; nga ana tjetër, është mundësia për të përfituar financiarisht përpara se kontrata e tij të skadojë në qershor të vitit 2026.

Atalanta, edhe pse nuk dëshiron ta humbasë lehtësisht një lojtar me kaq shumë peshë, po mendon edhe për mundësinë e rinovimit të kontratës me rritje page, për ta bindur që të qëndrojë.

Megjithatë, tundimi për një eksperiencë të re në një kampionat më pak konkurrues, por shumë më fitimprurës, mund të jetë vendimtar për vendimin e lojtarit. Fati i Gjimshitit do të vendoset në ditët në vijim, në një zgjedhje mes sigurisë që i ofron Bergamo dhe sfidës së re në Katar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot