Moska reagon pas vdekjes së ish-ministrit, zëdhënësi i Kremlinit: Të gjithë jemi të tronditur

- Bota Sot

Moska reagon pas vdekjes së ish-ministrit, zëdhënësi i Kremlinit: Të gjithë jemi të tronditur

Kremlini tha se ishte “i tronditur” nga vdekja e papritur e ish-ministrit rus të Transportit, Roman Starovoit, lajmi për të cilin doli vetëm disa orë pasi ai u shkarkua nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Starovoit u gjet i vdekur në makinën e tij jashtë Moskës me një plagë të shkaktuar nga një armë zjarri dhe dyshimi fillestar është se ai kreu vetëvrasje, thanë dje hetuesit shtetërorë.

I pyetur për vdekjen e Starovoit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti Putin ishte informuar për incidentin dhe e përshkroi atë si “tragjik dhe të trishtueshëm”.

Peskov nuk pranoi të spekulonte mbi shkakun e vdekjes së ish-ministrit, duke përmendur hetimin në vazhdim.

“Nuk mund të mos i tronditë njerëzit normalë. Kuptohet, na tronditi edhe ne. Një hetim është duke u zhvilluar. Dhe është ky hetim që do t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve”, tha Peskov.

Dekreti presidencial që shkarkon Starovoit, i publikuar dje, nuk dha asnjë arsye për shkarkimin e ministrit pas vetëm një viti në detyrë, megjithëse analistët politikë nxituan të ngrinin mundësinë që ai mund të jetë shkarkuar në lidhje me një hetim për korrupsion në rajonin që ai dikur drejtonte.

Përpara se të emërohej ministër i transportit në maj 2024, Starovoit ishte guvernator i rajonit Kursk për gati pesë vite.

Reuters nuk mundi të konfirmonte akuzat, megjithëse një burim nga industria e transportit, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se pozicioni i Starovoit kishte qenë në pikëpyetje për muaj të tërë për shkak të pyetjeve në lidhje me të njëjtin skandal korrupsioni, i cili përqendrohej në fondet e destinuara për forcimin e kufirit të Rusisë me Ukrainën në rajonin Kursk.



Lexoni të gjitha në Bota Sot