Jaume Asens, eurodeputeti spanjoll, ka njoftuar se Gjykata Kombëtare e Spanjës ka hapur një hetim penal për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Jashtëm dhe disa zyrtarëve të lartë ushtarakë izraelitë.
Në shqyrtimin gjyqësor thuhet se sulmi ndaj anijes Madleen, më 1 qershor gjatë rrugës për në Gaza, përbën vepër penale.
Hetimi përfshin përdorimin e dronëve, gazit lotsjellës dhe ndalimin e paligjshëm të 12 aktivistëve, përfshirë Greta Thunberg dhe Rima Hassan.
Anija, e cila transportonte 12 aktivistë ndërkombëtarë dhe ndihma humanitare, u kap nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare. Ndër të ndaluarit ishin aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg dhe mbrojtësja francezo-palestineze e të drejtave të njeriut Rima Hassan.
“Padia u dorëzua në emër të shtetasit spanjoll Sergio Toribio dhe Komitetit për Solidaritet me Çështjen Arabe: mbi bazën e parimit të juridiksionit universal; kërkon bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare; dhe dënon sulmin në kontekstin e gjenocidit në Gaza”, thuhet në njoftim.
“Ky është një hap i rëndësishëm në luftën kundër mosndëshkimit të Izraelit. Kur shtetet nuk i përmbushin detyrimet e tyre, është shoqëria civile ajo që duhet të aktivizojë drejtësinë si mjet etik, juridik dhe politik kundër tmerreve. Tani shpresojmë që kjo nismë të përhapet edhe në vende të tjera, në mënyrë që Netanyahu të mos mund të hyjë në Evropë pa u përballur me drejtësinë”, ka deklaruar Asens.