Pep Guardiola do futbollistin e Interit

- Bota Sot

Pep Guardiola do futbollistin e Interit

E ardhmja e Denzel Dumfris dhe e gjithë fashës së djathtë tek Interi mund të marrë një kthesë vendimtare brenda pak ditësh. Klauzola prej 25 milionë eurosh, e përfshirë në kontratën e re të holandezit, do të skadojë më 15 korrik, dhe nga ajo pikë do të dihet nëse Dumfris do të qëndrojë në Milano apo do të largohet pas katër vitesh si një nga pikat më të forta të zikaltërve.

Pas një sezoni mbresëlënës me 11 gola dhe 5 asistime, interesimi ndaj ish-lojtarit të PSV-së është rritur ndjeshëm. Fillimisht ishte Barcelona ajo që kontaktoi përfaqësuesit e lojtarit, veçanërisht pas performancës së tij vendimtare në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Megjithatë, vështirësitë financiare të klubit katalanas dhe besimi te Kundë bënë që Barça të tërhiqej nga gara.

Tani, në skenë del fuqishëm Mançester Siti i Pep Guardiolës, që pas largimit të, Uokerit, i cili pas një huazimi të pasuksesshëm te Milan është transferuar përfundimisht te Burnli, është në kërkim të një zëvendësuesi të nivelit të lartë në krahun e djathtë. Dumfris shihet si opsioni ideal dhe me një çmim të arsyeshëm për “Qytetarët”, të cilët kanë treguar se nuk kursejnë kur bëhet fjalë për përforcime strategjike. Nëse Siti vendos të aktivizojë klauzolën dhe të sjellë Dumfris në “Etihad”, Interi duhet të veprojë shpejt për të gjetur një zëvendësues.

Një emër që pëlqehet shumë në zyrat e klubit është ai i Dodo, mbrojtësit të djathtë të Fiorentinës. Braziliani ka kontratë deri në 2027, por bisedimet për rinovimin kanë ngecur dhe Interi mund të përfitojë nga situata. Prandaj, shtatë ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për një nga hallkat më të rëndësishme të formacionit të Kivusë.

Me shumë lëvizje të mundshme në horizont, e ardhmja e Denzel Dumfris mbetet pezull, ndërkohë që Interi përgatitet për çdo skenar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot