Tre burra janë shpallur fajtorë për një sulm zjarrvënës në një depo në Londër, e lidhur me ndihmat për Ukrainën, i kryer në emër të grupit mercenar rus Wagner.
Jakeem Rose (23 vjeç), Ugnius Asmena (20 vjeç), dhe Nii Mensah (23 vjeç) u shpallën fajtorë në Gjykatën e Lartë (Old Bailey) për zjarrëvënie me qëllim rrezikimin e jetës, pas sulmit që ndodhi më 20 mars 2024 në një njësi magazinimi në Leyton, në lindje të Londrës. Depoja dërgonte ndihma humanitare dhe pajisje satelitore Starlink për Ukrainën.
Sulmi u organizua nga Dylan Earl (20 vjeç) dhe Jake Reeves (23 vjeç), të cilët kishin pranuar më parë se kishin planifikuar zjarrvënien për llogari të grupit Wagner, i shpallur organizatë terroriste nga qeveria britanike.
Zjarri shkaktoi dëme që arrinin në rreth 1 milion paund. Tetë ekipe zjarrfikësish dhe rreth 60 zjarrfikës ndërhynë për të shuar flakët. Ndërkohë, një shofer kamioni u përpoq ta shuante zjarrin pa sukses.
Pamjet e sigurisë dhe një video e transmetuar drejtpërdrejt në FaceTime treguan Mensah dhe Rose duke hedhur benzinë dhe duke i vënë flakën magazinës. Gjatë ikjes, Rose hodhi një thikë mbi të cilën u gjet ADN-ja e tij.
Depoja ishte në pronësi të shtetasve ukrainas dhe u shënjestrua për shkak të rolit të saj në dërgimin e ndihmave në Ukrainë. “Ky ishte një sulm i qëllimshëm për shkak të lidhjes së depos me Ukrainën,” tha David Cawthorne nga Prokuroria e Kurorës.
Dylan Earl, i cili kishte komunikuar me një kontakt të Wagner-it përmes aplikacionit Telegram, kishte shprehur gatishmërinë për të kryer “misione” të tjera, përfshirë sulme të planifikuara në një restorant dhe dyqan vere në Mayfair, si dhe një komplot për rrëmbimin e biznesmenit dhe disidentit rus Evgeny Chichvarkin, një kritik i njohur i Vladimir Putinit.
Earl u bë personi i parë i dënuar sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare 2023, i miratuar për të trajtuar kërcënimet nga shtetet e huaja.
Paul English (61 vjeç) u shpall i pafajshëm për përfshirje në zjarrvënie. Ashton Evans, nga Newport, u shpall fajtor për moszbulim informacioni në lidhje me aktet terroriste, por u lirua nga akuza për mosnjoftim të zjarrvënies.
Dmitrijus Paulauskas, nga Croydon, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Komandanti Dominic Murphy nga Komanda Kundër Terrorizmit tha: “Ky rast tregon qartë se si një organizatë e lidhur me shtetin rus ka përdorur përfaqësues britanikë për të kryer vepra të rënda kriminale në Mbretërinë e Bashkuar. Shpresoj që këto dënime të shërbejnë si paralajmërim për pasojat serioze të veprimeve në emër të një shteti të huaj.”