Fatjon Tafaj: Do të punojmë për të ndërtuar një grup cilësor

- Bota Sot

Fatjon Tafaj: Do të punojmë për të ndërtuar një grup cilësor

Pas emërimit zyrtar në krye të Kombëtares U-17, trajneri Fatjon Tafaj ka dhënë intervistën e parë për fshf.org, ku ka ndarë emocionet e rikthimit në Federatën e Futbollit, këtë herë si trajner i parë. Ai ka folur për objektivat e punës me ekipin, rëndësinë e zhvillimit të lojtarëve të rinj dhe projektet që do të ndiqen në vijim.

Emocionet e rikthimit? – Është vlerësim për mua që rikthehem në Federatën Shqiptare të Futbollit, këtë herë si trajner i parë. Kjo është eksperienca ime e dytë, pas një eksperience me ekipin Kombëtar U-21 përkrah trajnerit Alban Bushi. Dua të falënderoj shumë FSHF-në, Presidentin Armand Duka dhe gjithashtu drejtorin Pea, që më dhanë mundësinë për të ardhur dhe për t’u bërë pjesë e shtëpisë së futbollit shqiptar.

Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025”? – I ndoqa pothuajse të gjitha ndeshjet. Organizimi ishte në perfeksion. Skuadrat ishin mjaft cilësore, u prodhua futboll, ndoqa edhe ekipin shqiptar. Ka elementë që janë goxha premtues. Sigurisht që ekipet ishin shumë të forta, pasi të luash kundër kundërshtarëve të tillë nuk është e lehtë, pavarësisht se ke edhe kualitetin brenda. Por ajo që unë pashë dhe që është shumë e rëndësishme, ka elementë goxha të mirë te Kombëtarja U-17.

Objektivat? – Sigurisht, do të nisë me projektin “Step by Step”, ku do të fillojmë me pjesën e trajnimit të lojtarëve.

Më pas kemi një projekt tjetër që lidhet më shumë me pjesën e zyrës. Do të ketë punë të madhe edhe me skautimin e lojtarëve, që do të realizohet në bashkëpunim me stafin e skautimit, drejtorin dhe të gjithë të tjerët për seleksionimin.

Është shumë e rëndësishme ulja e marzhit të gabimit. E them këtë sepse shikoj që ka elementë shumë të mirë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit. Qëllimi është të kemi sa më shumë lojtarë cilësorë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot