Ka një emër joshës që Inter tashmë ka tentuar dy herë ta sjellë në Serie A: Herën e parë në verën e vitit 2023, herën e dytë janarin e kaluar. Dhe ndoshta e treta është e duhura. Bëhet fjalë për Marco Asensio, që është në krye të listës së merkatos.
Ai është njeriu i identifikuar për të mbushur një boshllëk në skuadrën zikaltër, për t’i dhënë trajnerit Cristian Chivu një lojtar të aftë të luajë në mesfushën sulmuese. Ai është përjashtimi i famshëm nga rregulli edhe për shkak të moshës së tij (29 vjeç).
Asensio është një mundësi e shkëlqyer e ofruar nga tregu i transferimeve dhe një që presidenti Marotta dhe drejtori sportiv Ausilio po e shqyrtojnë në mënyrë aktive. Spanjolli nuk do të qëndrojë te PSG, klubi që zotëron kontratën e tij.
Parizienët e risollën në “shtëpi” pas një periudhe gjashtëmujore huazimi në Premier League tek Aston Villa. Por ai nuk është pjesë e planeve të trajnerit Luis Enrique, ndaj Jorge Mendes, agjenti i lojtarit, po kërkon në të gjithë Evropën zgjidhjen më të mirë për klientin e tij.
Inter po e shqyrton çështjen, pasi Asensio ka një kontratë që skadon në vitin 2026.
Prandaj, PSG nuk mund të kërkojë një tarifë të lartë për të: një shifër midis 10 dhe 12 milionë eurove është e mundshme.
Për më tepër, për klubin francez, do të ishte ende një fitim kapital, duke pasur parasysh se lojtari erdhi si transferim i lirë në vitin 2023. Thelbi i çështjes është paga e tij: Asensio ka një kontratë ekzistuese me vlerë 8 milionë euro neto.
Spanjolli do të duhet të jetë i gatshëm ta ulë pagën e tij ndjeshëm: jo e pamundur, duke pasur parasysh se ai ka vetëm 12 muaj të mbetur me PSG-në dhe për këtë arsye mund të tundohet nga ideja e një marrëveshjeje shumëvjeçare dhe përvojë në Serie A.