Pavarësisht kritikave të ashpra nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili tha se “Putini po na hedh shumë marrëzira”, Rusia vazhdoi sulmet kundër Ukrainës gjatë natës me sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës.
Sipas The Guardian, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë mëngjes se Rusia ka tentuar të godasë 741 objektiva me 728 dronë dhe 13 raketa.
Sulmi ishte aq intensiv sa që Polonia fqinje ngriti në ajër avionët e saj dhe të aleatëve për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake.
“Kjo është një goditje domethënëse - dhe vjen pikërisht në një kohë kur janë bërë kaq shumë përpjekje për të arritur paqe, për të vendosur një armëpushim, dhe megjithatë vetëm Rusia vazhdon t’i refuzojë të gjitha”, tha ai
Zelensky argumentoi se agresioni i vazhdueshëm i Rusisë është “një tjetër dëshmi për nevojën e sanksioneve, sanksione të ashpra ndaj naftës, e cila ka financuar makinën luftarake të Moskës për më shumë se tre vjet luftë”.
“Partnerët tanë e dinë se si të ushtrojnë presion në një mënyrë që do ta detyrojë Rusinë të mendojë për t’i dhënë fund luftës, e jo për të nisur sulme të reja. Çdokush që dëshiron paqe, duhet të veprojë”, shtoi ai.