Beqiri: Besoj se jemi ekip favorit në ndeshjen e kthimit

- Bota Sot

Beqiri: Besoj se jemi ekip favorit në ndeshjen e kthimit

Trajneri Jeton Beqiri ka folur për faqen zyrtare të KF Shkëndija pas barazimit pa gola (0:0) në transfertën me kampionin e Uellsit, The New Saints.

Ai e ka vlerësuar të pranueshëm rezultatin e arritur. Beqiri thotë se janë favorit për ndeshjen e kthimit në Shkup, pas një javësh.

“Mendoj se ishte ndeshje e cila në momente të caktuara u dominua nga ne. Kishim më shumë raste të pastërta se kundërshtari. Në një moment kur gabuam në mbrojtje edhe portieri ynë shpëtoi një mundësi të 100% të vendasve.

Duke marrë parasysh pengesat që kishim, si fusha sintetike, apo mungesa e dy futbollistëve shumë të rëndësishëm në fazën përgatitore në Slloveni, si Besart Ibraimi që kishte lëndim dhe Ibrahim Alhassan që nuk udhëtoi shkaku i problemeve me vizën, besoj se është rezultat i pranueshëm.

Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të mundohemi që të menaxhojmë situatën për të dalë fitues në dy ndeshjet, për të kaluar në raundin e dytë”, tha ai.

“Besoj se jemi ne ekipi favorit. Në bazë të cilësisë që kemi në skuadër jemi favorit. Do kemi përparësi për edhe një javë punë, gjithsesi duke u futur akoma më shumë në ritëm për shkak se duhet potencuar se Besarti ishte i gatshëm vetëm për 45 minuta dhe ne në bashkëpunim me stafin dhe futbollistin vendosëm se më mirë ishte të luajë në pjesën e dytë.

Besoj se edhe një javë plus, ai dhe disa futbollistë që nuk kanë akoma formën maksimale, besoj se do të përfitojnë nga kjo dhe në ndeshjen e kthimit në Shkup, duke dhënë maksimumin e duke qenë gjithmonë me këmbë në tokë, me ndihmën edhe të publikut, besoj dhe shpresoj se do të jemi ne skuadra që do të gëzohemi dhe do të kualifikohemi në raundin e dytë”, përfundoi trajneri Jeton Beqiri.



Lexoni të gjitha në Bota Sot