Ardian Ismajli është zyrtarisht futbollist i Torinos.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka firmosur kontratë deri në vitin 2027 me klubin italian, me opsion rinovimi për një sezon tjetër. Vendimi i tij për të qëndruar në Serie A erdhi pavarësisht një oferte shumë të rëndësishme që mori në muajin maj nga klubi Al Ain në Katar, i cili do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube.
Sipas raportimeve, oferta kishte një vlerë prej 7 milionë eurosh për tre vite, por Ismajli zgjodhi të vazhdojë aventurën në elitën e futbollit italian, duke firmosur me Torinon si lojtar i lirë.
Në komunikatën zyrtare, Torino shkruan: “Torino Football Club ka kënaqësinë të njoftojë se ka nënshkruar me futbollistin Ardian Ismajli, i cili ka firmosur kontratë deri më 30 qershor 2027, me opsion për sezonin pasues. Ismajli ka lindur në Majancë, Kosovë, më 30 shtator 1996.
Ai është rritur te të rinjtë e klubit 2 Korriku dhe në vitin 2016 është transferuar te Hajduk Split, ku ka debutuar më 14 maj 2016 kundër NK Zagreb. Me ekipin kroat ka zhvilluar 93 ndeshje, duke shënuar 2 gola dhe dhuruar 2 asistime, si dhe ka luajtur në ndeshjet kualifikuese për Europa League.
Në shtator 2020, Ismajli u transferua në Itali te Spezia, ku regjistroi 21 paraqitje, një gol dhe dy asistime.
Një vit më vonë u ble nga Empoli, ku qëndroi katër sezone, duke zhvilluar 106 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Italisë.
Në arenën ndërkombëtare, Ismajli ka përfaqësuar fillimisht Kosovën dhe më pas Shqipërinë në ekipet e moshave, ndërsa me përfaqësuesen A të Shqipërisë ka luajtur 45 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola”.