Alonso i dëshpëruar me debaklin e pësuar nga PSG

- Bota Sot

Alonso i dëshpëruar me debaklin e pësuar nga PSG

Real Madridi është eliminuar nga Paris Saint-Germain në Kupën e Botës për Klube, pas një humbjeje të rëndë 4-0 që tronditi klubin spanjoll.

Parisienët dominuan ndeshjen dhe e demoluan skuadrën e Xabi Alonsos pa mëshirë.

Trajneri i madrilenëve, Xabi Alonso, u shfaq i dëshpëruar pas përfundimit të ndeshjes, duke pranuar se rezultati ishte një pasqyrë reale e gjendjes aktuale të ekipit.

“Tani e dimë ku jemi. Ka shumë gjëra që duam t’i bëjmë më mirë. Dhemb kjo humbje,” tha Alonso.

Alonso theksoi se PSG ishte një kundërshtar i organizuar dhe i fuqishëm, ndërsa Real Madridi është ende në fazën e ndërtimit. “Vuajtëm; ishte e vështirë. PSG është një ekip i kompletuar. Ne sapo kemi filluar,” shtoi ai.

Përkundër rezultatit të rëndë, trajneri u përpoq të nxjerrë mësime nga kjo ndeshje. “Rezultatet e sotme janë të mira për ne, pasi na tregojnë sa shumë kemi për të përmirësuar. Jemi ende në fillim,” u shpreh Alonso.

Ai e përmendi edhe mungesën e përgatitjes si faktor kyç. “Kemi qenë në një mjedis konkurrues për tre javë pa stërvitje. Tani duhet të analizojmë ku jemi dhe të përgatitemi për rikthimin pas katër javësh.

Sipas tij, gabimet taktike ishin të shpeshta dhe ndikuan direkt në rezultat. “Gjithmonë vonoheshim pak dhe kur ndodh kjo, të gjithë dalin nga pozicioni. Ata vrapojnë përpara dhe ti humbet kohë për të rikuperuar,” tha Alonso.

Në fund, ai u shpreh se kjo humbje duhet të shërbejë si një alarm. “Ky turne më ka treguar se ku jemi dhe çfarë mund të përmirësojmë. Kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit 2024/25. Sezoni i ri nis në gusht”, përfundoi Alonso. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot