Ruiz dhe Hakimi pas fitores ndaj Realit: Më mirë se sa e kishim imagjinuar

- Bota Sot

Ruiz dhe Hakimi pas fitores ndaj Realit: Më mirë se sa e kishim imagjinuar

Fitorja e thellë e Paris Saint-Germainit ndaj Real Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube ka entuziazmuar tej mase lojtarët e kampionit francez.

Fabian Ruiz dhe Achraf Hakimi kanë shprehur emocionet e tyre pas triumfit bindës 4:0 ndaj skuadrës madrilene, që i dërgon parisienët në finalen e madhe kundër Chelseat.

Mesfushori spanjoll, Fabian Ruiz, ishte ndër më meritorët në këtë fitore, pasi shënoi dy gola dhe tregoi lojë të shkëlqyer në mesfushë.

“Nuk mund të imagjinoja diçka më të mirë. Urime gjithë ekipit që më dha forcë të shënoj këto gola. E dinim që do të ishte shumë vështirë, sepse përballë kishim një nga skuadrat më të mëdha në botë. Ishte nxehtë, por jemi shumë të lumtur”, ka deklaruar Ruiz.

Fjalë të ngjashme kishte edhe mbrojtësi Achraf Hakimi, i cili vlerësoi paraqitjen dhe angazhimin e skuadrës në kushte të vështira.

“E merituam këtë fitore. Bëmë një përpjekje të jashtëzakonshme. Nuk ishte aspak e lehtë për shkak të temperaturave të larta dhe cilësisë së kundërshtarit. Ky trajner më ka dhënë besim dhe liri në lojë”, tha Hakimi për DAZN.

Ai veçoi edhe bashkëpunimin me disa nga shokët e skuadrës: “Marquinhos më jep siguri, ashtu si edhe João Neves, i cili po bën një punë të shkëlqyer. Me këtë ekip, vazhdoj të kënaqem çdo ditë”, shtoi ai.

Finalja mes PSG-së dhe Chelseat do të zhvillohet të dielën, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë trofeun e kësaj gare, e cila për herë të parë mbahet në këtë format.



Lexoni të gjitha në Bota Sot