Egnatia e nisi me fitore rrugëtimin në Champions, duke mposhtur 1-0 Breidablik në “Arena Egnatia”, por fitorja erdhi me një kosto të lartë.
Skuadra kampione e Shqipërisë doli “e plagosur” nga kjo sfidë, duke humbur dy titullarë të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në Islandë: Edison Ndrecën dhe Regi Lushkjan.
Mbrojtësi i majtë, u detyrua të linte fushën në pjesën e parë pas një dëmtimi, që sipas informacioneve të para duket serioz dhe rrezikon ta mbajë jashtë fushave për të paktën edhe ndeshjen e kthimit.
Nga krahu tjetër, Regi Lushkja, një nga mesfushorët më të rëndësishëm të skuadrës, u ndëshkua me karton të kuq në minutat e fundit dhe do të mungojë gjithashtu në sfidën vendimtare në Islandë. Këto dy mungesa i komplikojnë ndjeshëm planet e trajnerit Edlir Tetova për sfidën e kthimit.
Ndreca është një pikë kyçe në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa Lushkja përfaqëson balancën dhe shpirtin luftarak në mesfushë. Mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhjeje do të gjejë Tetova në këto pozicione, ndërsa kërkon të ruajë avantazhin dhe të kalojë në turin e dytë të Ligës së Kampionëve.