Skuadrat shqiptare synojnë fitore

- Bota Sot

Skuadrat shqiptare synojnë fitore

Dy skuadra nga Superliga e Kosovës do të zbresin sot në fushë në kuadër të garave evropiane, duke shënuar rikthimin në skenën evropiane.

Pas një periudhe mungese, FC Prishtina rikthehet sonte në garat evropiane. Bardhekaltrit do të luajnë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës kundër skuadrës moldave, Sheriff Tiraspol.

Ndeshja zhvillohet në “Sheriff Arena” të Tiraspolit me fillim nga ora 19:00.

Kryeqytetasit, të drejtuar nga trajneri Arsim Thaqi, synojnë të marrin një rezultat pozitiv në përballjen e parë si mysafirë, për të rritur shpresat e kualifikimit para ndeshjes së kthimit që do të luhet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sheriffi është një emër i njohur në garat evropiane, me përvojë të madhe në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, por Prishtina shpreson të befasojë dhe të tregojë forcën e rikthimit në skenën ndërkombëtare.

FC Malisheva do të luajë në Ligën e Konferencës kundër Víkingur Reykjavikut nga Islanda. Takimi luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.

Pavarësisht se përballen me një kundërshtar me përvojë solide në garat evropiane, malishevasit janë përgatitur gjatë për këtë sfidë dhe synojnë të shfrytëzojnë përkrahjen e tifozëve për të arritur një rezultat pozitiv. Krahas klubeve kosovare, sot në fushë në garat evropiane zbresin edhe tri klube tjera shqiptare, Partizani, Vllaznia si dhe Deçiqi i Tuzit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot