Pas një eliminimi të thellë nga PSG në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, Luka Modriç i ka kthyer menjëherë sytë drejt së ardhmes. Mesfushori kroat, fitues i Topit të Artë në vitin 2018 dhe një legjendë e vërtetë e Real Madridit, është gati të fillojë një aventurë të re me Milanin.
Marrëveshja është arritur me shpejtësi, falë ndërhyrjes direkte të drejtorit Igli Tare, dhe kontrata është nënshkruar: një vit, deri në verën e 2026-ës, me një pagë prej 3.5 milionë euro në sezon. Mungon vetëm njoftimi zyrtar i klubit.
Modriç, i cili është 40 vjeç, pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore në fund të korrikut dhe të bashkohet me skuadrën e re në fillim të gushtit. Pasi Milani ka humbur mesfushorin Reijnders dhe mbrojtësin e krahut Theo Hernandez, ardhja e kroatit shihet si një injeksion i nevojshëm për eksperiencë dhe lidership.
Trajneri Massimiliano Allegri, i sapoemëruar në stolin kuqezi, pritet t’i besojë Modriçit rolin e liderit brenda dhe jashtë fushës, duke shpresuar që përvoja dhe mentaliteti fitues i tij të ndihmojnë Milanin të rikthehet në maja. Vetë Tare ka deklaruar së fundmi se Allegri është njeriu i duhur për t’i kthyer shpirtin garues dhe ambicien një skuadre që ka nevojë për rilindje.