Marco Asensio drejt Fenerbahçes, Interi e humb garën

- Bota Sot

Marco Asensio drejt Fenerbahçes, Interi e humb garën

Marco Asensio është pranë një tjetër largimi nga Paris Saint-Germain, këtë herë me destinacion të ri: Fenerbahçen.

Pas huazimit te Aston Villa, sulmuesi spanjoll është gati për një tjetër aventurë jashtë Francës, ndërsa një marrëveshje paraprake tashmë është arritur midis klubeve.

Fillimisht, Interi e kishte vendosur Asension si objektivin kryesor për repartin ofensiv, veçanërisht pas ndryshimeve të shumta në skuadër dhe kërkimeve për një lojtar që mund të luajë si sulmues i dytë apo mesfushor ofensiv. Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, Fenerbahçe e ka kaluar qartë Interin në garën për firmën e spanjollit.

Klubi turk reagoi menjëherë pas largimit të Edin Dzekos drejt Fiorentinës, duke kërkuar një zëvendësim cilësor në repartin ofensiv. Me ndihmën e superagjentit Jorge Mendes, i cili përfaqëson si Asension ashtu edhe trajnerin José Mourinho, Fenerbahçe ka përshpejtuar bisedimet dhe ka gjetur gjuhën e përbashkët me PSG-në.

Sipas gazetarit të njohur turk Yagiz Sabuncuoglu, palët kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Asensios në Turqi. Sulmuesi 28-vjeçar ka kontratë me PSG-në deri në qershor të vitit 2026, por është vendosur që largimi të ndodhë këtë verë për të shmangur stinën në stol dhe për të përfituar nga kërkesa në treg.

Fenerbahçe, që po përgatitet për një sezon ambicioz nën drejtimin e Mourinhos, synon ta zyrtarizojë transferimin brenda pak ditësh dhe ta prezantojë spanjollin si një nga emrat më të mëdhenj që ka afruar ndonjëherë në Superligën turke.

Asensio ka përvojë të madhe nga La Liga, Ligue 1 dhe Ligën Premier.



Lexoni të gjitha në Bota Sot