Barcelona është e vendosur të transferojë një sulmues të majtë këtë verë dhe, pasi dështoi me Nico Williams, klubi po ndjek objektiva të tjerë. Marcus Rashford është një nga emrat në listën e tyre, dhe mundësia për një marrëveshje me Manchester United tashmë ka marrë një hap përpara.
Luis Diaz dhe Rashford janë dy objektivat kryesorë të Barcelonës pasi Williams vendosi të qëndrojë te Athletic Bilbao, ndërsa raportohet se drejtori sportiv Deco e ka Luis Diaz si përparësi.
Megjithatë, një marrëveshje për kolumbianin duket e vështirë, pasi Bayern Munich po shtyn fort për të arritur një marrëveshje me kampionët e Premier League.
Kjo po e afron Rashford edhe më shumë me Barcelonën, sidomos sepse një marrëveshje me Man United do të ishte më e lehtë për t’u realizuar. Për më tepër, 27-vjeçari thuhet se është i intersuar të bashkohet me kampionët e La Ligës dhe tani duket se mund ta realizojë këtë dëshirë.
Sipas Matteo Moretto, trajneri Hansi Flick i ka dhënë dritën jeshile Barcelonës për të ndjekur marrëveshjen për Rashford, të cilin klubi shpreson ta marrë fillimisht në huazim me opsion blerjeje përfundimtare verën e ardhshme.
Po ashtu raportohet se Barcelona do të zhvillojë bisedime të reja për Rashford, i cili është i gatshëm të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës te Man United, në mënyrë që të përfshihet brenda kufijve të pagave të katalanasve. Prandaj, nuk do të ishte befasi që marrëveshja për kushtet personale të arrihet në javët në vijim.
Rashford e ka bërë të qartë se do të pranojë një transferim vetëm te Barcelona, për sa kohë kjo është një mundësi për të.