Sulmuesi anglez e ndan mendjen

- Bota Sot

Sulmuesi anglez e ndan mendjen

Xhejdon Sanço ka zgjedhur Juventusin si destinacionin e tij të preferuar për të rimëkëmbur karrierën pas një sezoni të vështirë në Angli. Sulmuesi anglez, i cili regjistroi 3 gola dhe 5 asistime në 31 ndeshje të Premier Ligë, si dhe 2 gola e 5 asistime në 8 ndeshje të Ligën e Konferencës, ka vendosur t’u japë përparësi bardhezinjve përpara çdo klubi tjetër. Madje, edhe përpara Borusia Dortmundit, ku ai kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim.

Sipas burimeve pranë lojtarit, Sanço do të pranonte edhe një ulje të ndjeshme të pagës për t’u bërë pjesë e projektit të ri të Juventusit nën drejtimin e Igor Tudorit. Një sinjal i qartë i gatishmërisë për të rifilluar nga e para në një ambient që i ofron një rol qendror dhe më pak presion se në Mançester.

Por, pavarësisht vullnetit të lojtarit dhe interesit të Juventusit, marrëveshja nuk është ende e mbyllur. Pengesa kryesore lidhet me një kompensim prej rreth 5 milionë eurosh që Sanço kërkon nga Mançester Junajtidi për të pranuar largimin, ndërsa ka ende kontratë deri në vitin 2026 me “Djajtë e Kuq”.

Nga ana e tij, Junajtidi është i prirur ta largojë lojtarin përfundimisht dhe nuk dëshiron ta mbajë më në skuadër.

Ndërkohë, edhe vetë Sanço dëshiron një ndarje të shpejtë. Ndjesia është se palët mund të gjejnë një marrëveshje kompromisi, duke hapur rrugën për kalimin e tij në Torino. Në përfundim, gjithçka është në dorën e klubeve, por Juventusi ka avantazhin dhe Sanço është i bindur se vetëm një hap ndan operacionin nga mbyllja përfundimtare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot