Liverpooli zyrtarisht njofton tërheqjen e numrit 20 në nder të Diogo Jotas

- Bota Sot

Liverpooli zyrtarisht njofton tërheqjen e numrit 20 në nder të Diogo Jotas

Liverpooli ka konfirmuar zyrtarisht se ka tërhequr fanellën me numrin 20, në një gjest të veçantë nderimi për Diogo Jotën, i cili ndërroi jetë para kohe javën e kaluar.

Sulmuesi portugez e mbajti këtë numër për pesë vite në Anfield, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në klub dhe në zemrat e tifozëve.

Vendimi për tërheqjen e numrit 20 vlen për të gjitha nivelet e klubit, përfshirë ekipin e parë, ekipin e femrave dhe Akademinë e të rinjve të Liverpoolit.

“Si klub, ishim plotësisht të vetëdijshëm për emocionet e thella të tifozëve tanë – dhe i ndanim plotësisht ato,” tha Michael Edwards, Drejtor Ekzekutiv i Futbollit në FSG.

“Ishte e rëndësishme për ne të përfshijmë bashkëshorten e Diogos, Ruten, dhe familjen e tij në këtë vendim dhe t’u tregojmë të parëve për qëllimin tonë”.

“Kjo është hera e parë në historinë e Liverpoolit që një nder i tillë i jepet një lojtari individualisht. Mund të thuhet me plot gojën se është një homazh unik për një njeri po aq unik.”

“Duke e tërhequr këtë numër, po e bëjmë atë të përjetshëm – dhe po e sigurojmë që Diogo Jota të mos harrohet kurrë.”

Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 dhe e veshi fanellën me numrin 20 me nder, pasion dhe përkushtim, duke e kthyer atë në simbol të tij.

Edwards shtoi: “Për Klubin e Futbollit Liverpool, ai do të jetë përgjithmonë numri ynë 20”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot