Arsene Wenger e ka vlerësuar lart Paris Saint-Germain gjatë një konference të mbajtur nga Grupi i Studimit Teknik i Kupës së Botës për Klube të FIFA-s, duke theksuar qasjen unike të ekipit të Luis Enrique.
Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, aktualisht përgjegjës për zhvillimin global të futbollit në FIFA, u ndal te veçantitë e PSG-së që e bëjnë skuadrën një shembull modern por njëkohësisht të guximshëm në stilin e lojës.
“Jetojmë në një epokë të dominuar nga pasimet, por ajo që të gjithë lojtarët e PSG-së kanë të përbashkët është aftësia për të mposhtur kundërshtarin. Dembele, Barcola, Doue… janë të patrembur. Është interesante të shohësh këtë lloj qasjeje në një ekip dominues”, ka thënë Wenger.
Ai nënvizoi rëndësinë e driblimit si një art që po humbet në futbollin modern, por që PSG po e rikthen fuqishëm në qendër të vëmendjes. Sipas tij, kjo është një nga pikat më të forta të ekipit francez.
Tekniku francez theksoi gjithashtu intensitetin taktik të PSG-së, veçanërisht në mënyrën si e nisin ndeshjen me presion të vazhdueshëm dhe efikasitet të lartë përpara portës.
“Është mbresëlënëse mënyra se si Parisi ka luajtur për një vit, me presion të vazhdueshëm dhe gola në minutat e para. Nuk mund të gabosh me këtë formulë”, shtoi ai.