Barcelona duhet të finalizojë largimet për të rikthyer rregullin 1:1 në La Liga dhe Marc-Andre Ter Stegen është një nga kandidatët kryesorë për t’u larguar.
Më herët gjatë kësaj jave, portieri gjerman është informuar nga Hansi Flick se nuk bën pjesë në planet për sezonin e ardhshëm, dhe për rrjedhojë, ekziston dëshira nga klubi për ta larguar atë.
Paga e lartë e Ter Stegen është ndër më të lartat në skuadër, ndaj largimi i tij do të ishte shumë i rëndësishëm për të mundësuar regjistrimin e përforcimeve të reja, që do të bëhen nga tani e deri në fund të verës, përfshirë Joan Garcia, i cili do të jetë portieri titullar i katalanasve sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht se i është bërë e qartë se nuk do të luajë, Ter Stegen nuk është i gatshëm të largohet nga Barcelona.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai nuk do të ketë mundësi për të siguruar një vend titullari diku tjetër dhe aktualisht, shansi më i mirë i tij është në Turqi.
Sipas Sabah Spor, Galatasaray është gati të lëvizë për Ter Stegen sapo të finalizojë marrëveshjen për Victor Osimhen.
Gjigantët turq e shohin portierin e Barcelonës si zëvendësuesin ideal të Fernando Musleras, i cili së fundmi është larguar dhe është kthyer në Amerikën e Jugut.
Sezoni i ardhshëm është vendimtar për Ter Stegen. Ai nuk ka qenë kurrë portieri titullar i Gjermanisë në një Kupë Bote, por për momentin, e ka fanellën e titullarit në prag të turneut të verës së ardhshme në Amerikën e Veriut.
Kjo situatë mund të ndryshojë, nëse ai nuk luan rregullisht sezonin që vjen.