Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti, ka zgjatur qëndrimin e tij te Alanyaspor, klub me të cilin ka nënshkruar kontratë të re deri në vitin 2028.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi turk përmes një komunikate zyrtare të publikuar të shtunën në mbrëmje në Facebook, ku theksohet se rinovimi i kontratës është bërë pas marrëveshjes së arritur mes palëve, ndërsa Aliti vazhdon të mbetet pjesë e planeve afatgjata të skuadrës.
“Fidan Aliti 3 vjet të tjera me ne! Klubi ynë ka zgjatur kontratën me mbrojtësin që luan edhe për Kombëtaren e Kosovës deri në vitin 2028. I dëshirojmë suksese në sezonin e ri”, thuhet në njoftimin e Alanyaspor.
Aliti, i cili prej disa sezonesh është pjesë e klubit nga Superliga turke, ka qenë ndër figurat më të rëndësishme në repartin mbrojtës. Ai ka mbajtur vazhdimisht stabilitet në mbrojtje si për klubin, ashtu edhe për Kombëtaren e Kosovës.
Ky rinovim konsiderohet si një hap i rëndësishëm për vetë lojtarin, por edhe për klubin që po synon të ruajë bazën e skuadrës për edicionin e ri.
Sezoni i ri në Superligën e Turqisë nis më vonë gjatë këtij muaji, ndërsa Aliti pritet të jetë pjesë e formacionit bazë edhe në kampionatin e ri.